Për korrespondentin e i”Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Matthias Rüb, i cili mbulon Shqipërinë, skenari më i mirë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar së fundi në vend do të ishte shtyrja e zgjedhjeve lokale me ujdi. “Ka mundësi për kompromis, të gjithë aktorët politikë janë të thirrur ta kërkojnë atë”, thekson ai për DW.

“Shikoni, që frontet ashpërsohen nuk është diçka e re për fat të keq në Shqipëri”, thotë Rub. “Kushdo kush ka qenë në pushtet, demokratët apo socialistët, gjithmonë ka pasur akuza të rënda nga partia që ka qenë në opozitë, që partia qeverisëse është e korruptuar, që shkel Kushtetutën”, vazhdon ai.

“Është e vështirë të gjykosh, cili pozicion është i drejti, kjo lidhet edhe me ngjyrimin politik: Nëse bëhet fjalë për një protestë legjitime popullore kundër një regjimi të korruptuar, apo për përpjekjen e opozitës që të arrijë në mënyrë jo parlamentare rrëzimin e një kryeministri të zgjedhur në mënyrë legjitime, kjo është çështje e kontestuar. E pakontestueshme është që kjo e dëmton Shqipërinë, që i pengon përpjekjet për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.

Për analistin gjerman, vendimi i presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, është në rregull nga pikëpamja kushtetuese.” Ai ka të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, të paktën kështu e kuptoj unë nenin kushtetues, të cilit ai i referohet”, thotë Rub, pastaj nëse është apo jo një veprim i mençur politikisht, kjo varet nga cila anë e shikon, tha ai.

Shkarkimi i Metës sipas tij do ta thellonte edhe më tej krizën kushtetuese të vendit. Zgjidhja më e mirë për të, është që palët të ulen në tryezë e të gjejnë kompromisin. “Kjo do të ishte më e mira për vendin”, shprehet ai, “sepse vendi ka nevojë për qetësi, për pushtetarë me legjitimitet e jo për trazira e përplasje jashtë institucioneve demokratike”.

Top Channel