Partia Socialiste ka festuar sot 28 vjetorin e themelimit të saj. Qindra simpatizantë e përkrahës të Partisë Socialiste kanë festuar sot në ambientet e reja të Amfiteatrit të Tiranës në Parkun e Madh të Liqenit Artificial ditëlindjen e 28 të forcës politike që ka qeverisur vendin në momentet më të vështira jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të kombit tonë.

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka uruar gjithë socialistët për këtë ditë të shënuar, ndërsa theksoi se Partia Socialiste është pasuria më e madhe politike e Shqipërisë dhe që ka ditur gjithmonë të bëj shtet dhe qytet. Ndonëse në situata të vështira tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Partia Socialiste nuk i ka braktisur asnjëherë betejat e saja politike.

“Edhe pse kaluam histori të jashtëzakonshme, mos e harroni Gërdecin, 21 janarin. Na ndodhën gjëra që nuk i ndodhin asnjë force në botë, e megjithatë vajtëm në zgjedhje, i mundëm dhe sot drejtojmë Shqipërinë. PS nuk ka ikur nga asnjë betejë, edhe përpara thepit të pushkës, edhe para kallashit, drurit. Kujtoni ’98-ën me antitank i gjuhej qeverisë. PS fiton atje ku duhet, në kuti të votimit. Si përherë. Jua them këto, sidomos ju që jeni të rinj. Të kuptoni që partia jonë është trashëgimia, paja, pasuria më e madhe politike e Shqipërisë, ndaj duhet dashuruar, duhet trajtuar me kujdes dhe duhet forcuar përditë si e vetmja forcë që mund të drejtojë Shqipërinë të bëjë shtet dhe qytet”, tha Veliaj.

Ai shtoi se edhe në këto momente, ku opozita kërkon të ndalojë zgjedhjet vendore, është detyrë e gjithë socialistëve dhe qytetarëve që të dalin në zgjedhjet e 30 qershorit për ti dhënë qyteteve drejtuesit e rinjtë dhe për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj Evropiane.

“Sot sërish fantazmat e ’98-ës thonë mos shkoni në votime, thonë mos merrni me këto punë. Përveç se të merremi me shkollat, kopshtet, çerdhet, pastrimin, gjelbërimin, me çfarë pune tjetër duhet të merremi ne. Ata thonë mos u merrni me hallet tuaja, por tonat. Ne na rezulton që ata i kanë zgjidhur hallet e tyre. Fëmijët e tyre i kanë rregulluar të gjithë jashtë, shqiponjën dhe himnin e kanë hipokrizi sepse e kanë lëshuar pasaportën shqiptare. PS ka vetëm një plan, plani i parë dhe i vetëm është ta bëjmë Tiranën dhe Shqipërinë një vend evropian si vetëm socialistët mund ta bëjnë. Stacionin e parë e kemi në datën 30 qershor. Ne duhet të luftojmë në kutitë e votimit për të fituar besimin e shqiptarëve. Unë dua që këto ditë ashtu si kryeministri dhe deputetët dua që çdo socialistë të lëvizi në komunitet dhe të takojë socialistët dhe demokratët dhe tu themi atyre që ka vetëm një forcë që nuk e braktis kontratën dhe e mban fjalën dhe që quhet PS”, tha Veliaj.

Top Channel