Kombëtarja shqiptare ka marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Moldavisë në Elbasan Arena 2-0. Një  ndeshje jo me një ritëm të mirë, por në këtë situatë të kuqezinjve rezultati vlen shumë edhe për aspektin psikologjik, pasi skuadra vinte nga një periudhë rezultatesh jo të mira që kish futur skuadrën në një klimë negative. Në fillim zhbllokon Sokol Cikalleshi, i cili i mungonte kombëtares si me prezencë edhe me golat e tij.

“Një nga sulmuesit do të ishte mirë që të shënonte sot që të dilnim edhe ne nga kjo gjendje që ishim. Arrita që të shënojë unë, por sigurisht që do të isha i lumtur që edhe po të shënonin të tjerët”, tha Sokol Cikalleshi, lojtar i kombëtares.

Në fund gjithçka në ndeshjen me Moldavinë mbyllet me super golin e Ylber Ramadanit, i pari për të me përfaqësuesen kuqezi.

“Besoj që nga ky moment rezultatet janë pozitive. Kemi luajtur shumë mirë dhe shpresojmë që të luajmë kështu deri në fund”, tha Ramadani.

Shijen e fitores së parë nën drejtimin e kuqezinjve e provoi në Elbasan edhe trajneri Edi Reja i cili shprehet i kënaqur nga puna dhe frytet e marra pas rreth 15 ditësh grumbullim e dy ndeshje.

“Nuk ishte një fitore e thjeshtë pasi vuajtëm sidomos në pjesën e dytë ndërkohë që në të parën nuk arritëm të konkretizonim rastet që patëm. Zhvilluam një lojë konstante dhe nuk kishim më forcën fizike për të sulmuar, megjithatë, në dy ndeshjet që kemi zhvilluar brenda pak ditëve kemi pësuar një goditje në portë dhe një gol. Pra nga aspekti mbrojtës jemi përmirësuar, tani na duhet të përmirësohemi nga mesfusha e përpara. Në këto 15 ditë që kam punuar mund të them se kam një grup të mirë dhe jam i kënaqur nga puna e bërë. Kisha frikë se ndoshta nuk do të fitonim sot dhe do të na shkonte dëm e gjithë puna e bërë, sepse pa rezultate s’ka vlerësim. Megjithatë e rëndësishme ishte që skuadra veç rezultatit të çlirohej edhe nga aspekti psikologjik, sepse nën trysi nuk mund të shprehesh”, tha Edy Reja, trajner i kombëtares.

“Kam ardhur nga një dëmtim shumë i gjatë, pothuajse 9 muaj 10 muaj. Kisha kohë që nuk luaja me Kombëtaren dhe kam folur me trajnerin një ditë përpara lojës, duke i thënë që kam shumë dëshirë që të luaj, pavarësisht minutave që do të më jepen do t’i shfrytëzojë në maksimum”, tha Odise Roshi.

Kemi marrë identitet si skuadër dhe i kemi dhënë kuptim lojës. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu për të arritur në nivele të larta “, tha Elseid Hysaj.

Top Channel