Real prezanton serbin Jovic, dita e parë si “Blancos”

12/06/2019 18:57

Luka Joviç u prezantua këtë mesjavë si futbollisti më i ri i Realit të Madridit, një futbollist për të cilin skuadra galaktike shpenzoi 60 milionë Euro duke bindur Ajntrahjtin e Frankfurti që ta shesë mes dhjetëra kërkesave.

21 vjeçari nga Serbia zbarkoi pa asnjë anëtar të familjes, i rezervoi mediave vetëm 20 sekonda fjalim në konferencën e shtypit e më pas zbriti në fushë për ritualet e rastit, xhonglime me topin dhe foto zyrtare.

“Reali është klubi më i madh në botë dhe si shumë fëmijë ishte ëndrra ime. një mik i babait më dhuroi një bluzë dhe unë e pëlqeja aq shumë sa flija me të. Idhulli im ishte Ronaldo”, tha Luka Joviç.

Sulmuesi serb nuk specifikoi nëse bëhej fjalë për fenomenin brazilian apo asin portugez. 3 herë gazetarët e pyetën mbi ofertën e Barcelonës, dhe po kaq herë ballkanasi bëri të paditurin.

Konferencës së vakët dhe prezantimit aspak shkëlqyes të Luka Jovic, do t’i lërë shpejt vendin, ceremonia spektakolare e programuar të enjten për Eden Hazard. Për belgun që vjen nga Çelsi, është parashikuar një shfaqje galaktike si ajo e verës së 2009, me Kristiano Ronaldo dhe Kaka’.

Top Channel