Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar çdo mundësi që në Shqipëri të përsëritet një konflikt i ngjashëm me atë vitit 1997. Rama tha nga Divjaka se ata që shkaktuan ’97-ën janë të dëshpëruar, por populli sot nuk ka dalë në rrugë si pasojë e mashtrimit nga “piramidat”.

“Pse do të ndodhë ’97-ta? Cilit populli i janë djegur të gjitha kursimet e jetës pasi është mashtruar me “piramida”? Kush është sot në rrugë në protesta popullore për të kërkuar gjakun dhe djersën e mohuar? E kundërta është e vërtetë, ata që e shkaktuan ’97-ën, sot janë kaq të dëshpëruar se i gënjen mendja se mund të tundin përpara poullit fantazmën e ’97-ës dhe madje arrijnë deri aty, siç në fakt Saliu e ka treguar që është i gatshëm ta çojë deri në zjarrvënie politikën. Në fakt dëshpërimi i tyre dhe gjithë fantazma që sjellin vërdallë tregon se janë të mbaruar. Në 30 qershor shqiptarët do të votojnë se s’ka si të ketë ’97-të”, u shpreh Rama.

Rama tha se në 30 qershor nuk do të shkohet në votime vetëm për të zgjedhur kryetarët e bashkive, por për t’u ndarë nga e shkuara. Ai sulmoi edhe paraardhësin e tij në detyrë, Sali Berishën.

“Ne nuk do të shkojmë në votime thjesht për të zgjedhur kryetarët e bashkive, në 30 qershor, për shkak të asaj që po zhvillohet në sfondin e kësaj fushate, për shkak të atij plani destruktiv në dëm të Shqipërisë dhe në dëm të së ardhmes sonë, populli duhet të vendos përfundimisht ndarjen e 30 viteve të shkuara me 30 vitet e ardhme. Populli duhet t’i japi një mësim përfundimtar atyre që janë mësuar keq. Atij plakut të marrë që i ka mbledhur kokat boshe të udhëheqjes së opozitës si kokërrat e tespies të plakut mere, dhe kërkon t’i kthejë tespitët si lak në qafën e Shqipërisë. Përfundimisht ne duhet të vendosim që pas 30 qershorit kush kërkon të qeverisë, duhet të fitojë zgjedhjet dhe kush humbet zgjedhjet duhet të qëndrojë në Parlament dhe të bëjë opozitën për aq kohë sa e ka përcaktuar mandate”, tha Rama.

Top Channel