Shtëpia e Bardhë deklaratë në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës: Dialogu, e vetmja rrugë

11/06/2019 17:13

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e mbështeti deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e i kërkonte Kosovës dhe Serbisë të lenë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre.Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut.

Sipas tij, problem qëndron tek mungesa e gatishmërisë së Serbisë për të njohur Kosovën. Shefi i ekzekutivit kosovar shtoi se për sa i përket Kosovës, Samiti i Parisit mund të mbahet, por para së gjithash, është e nevojshme të arrihet një marrëveshje kornizë.

“Edhe nëse nuk ndodh Parisi, që mund të mos ndodhë, por jo për fajin e Kosovës, edhe në vjeshtë, nëse rikthehet dialogu te Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, që do të emërohet pas Mogherinit, prapë duhet një kornizë marrëveshje në mënyrë që të dihet për çka po zhvillohet dialogu. Pa këtë marrëveshje kornizë të njohjes reciproke Kosovë-Serbi, nuk ka logjikë”, është shprehur Haradinaj.

Në deklaratën e Washingtonit shprehej gatishmëria e SHBA-së për të ndihmuar përpjekjet drejt arritjes së marrëveshjes, por i takon Prishtinës dhe Beogradit, theksohej aty, që të ndërmarrin hapat e ardhshëm e veprojnë tani, pa ua lënë punën brezave të ardhshëm.

Hendeku mes dy palëve megjithatë duket shumë larg fashitjes, mes tyre u pa qartë sërish në takimin informues për Kosovën në këshillin e sigurimit, ku u përplasën ashpër duke akuzuar njëra tjetrën për gënjeshtra dhe mbështetje të gabuar.

Top Channel