Gjykata administrative e Tiranës ka urdhëruar ministrinë e Financave të ndryshojë kriteret e tenderit për koncesionin 52 milionë euro të pompave në stacionet e karburantit.

Vendimi i marrë nga gjykatësja Nafije Hasko, konstaton se një pjesë e kritereve të vendosura nga qeveria janë në kundërshtim me ligjin dhe kufizojnë
konkurrencën në tender.

Aktualisht kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve kryhet nga drejtoria e metrologjisë. Por vitin e kaluar qeveria pranoi propozimin e pakërkuar të kompanisë NOA kontrol për ta transferuar këtë shërbim tek privatët.

Pasi e shpërbleu kompaninë me bonus 10 për qind të pikëve, në tetor të vitit të kaluar ministria hapi zyrtarisht tenderin.

Por menjëherë sapo qeveria shpalli thirrjen në agjencinë e prokurimeve, një kompani zviceriane e quajtur penzoil e ankimoi tenderin fillimisht në komisionin e prokurimit publik dhe më pas në gjykatën administrative me pretendimin se kriteret e përcaktuara ishin në kundërshtim me ligjin dhe kufizonin garën.

Që nga ajo koha projekti për dhënien e pompave të karburanteve me koncesion është pezulluar nga ministria e financave deri në një afat të pacaktuar.
Por vendimi i gjykatës administrative e detyron qeverinë që në rast se rishpall tenderin të ndryshojë një pjesë të madhe të kritereve.

Në dekadën e fundit, qeveritë në Shqipëri kanë transferuar tek privatët një sërë shërbimesh apo asetesh publike, përmes koncesioneve shpesh me procedura të dyshimta.

Por kjo është hera e parë, kur një koncesion goditet nga gjykata duke kërkuar ndryshimin e një pjese të madhe të kritereve për kualifikimin e kompanive dhe shpalljen e fituesit.

Top Channel