Korrupsioni ka më shumë se sa një fytyrë. Të paktën kështu mendon Edona Shehu në punën e saj. Ndërkohë që Blerta Muceku na tregon tek një arlekin, sepse të bësh korrupsion duhet të jesh edhe xhongler.

Do të ketë një vend në të për të gjithë ata të cilët janë të korruptuar? Këto janë disa nga idetë origjinale të nxënësve të Liceut Artistik, të cilët në këtë ekspozitë paraqiten me temën e korrupsionit.

Erlind Fusha është fituesi i çmimit të parë të këtij konkursi të ideuar nga OSBE me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të korrupsionit mes të rinjve.

“Skulptura sic e shikoni edhe ju është në formën e një kok edhe është quajtur korrupsion. Për arsye se përfshin korrupsionin dhe kokën. Domethënë që përballë para se të gjithë ata njerëz që janë të korruptuar janë gojëmbyllur dhe symbyllur”, thotë Erlind Fusha, nxënës.

Ndërsa Enea Muka ka një shprehje pak më filozofike në tablonë e tij me titull ; shoqëria, korrupsioni dhe unë.

“Në pjesën e jashtme dallojmë kornizën dhe korniza përfaqëson shoqërinë ideale. Ndërsa pjesa e brendshme përfaqëson shoqërinë e vërtetë, e cila është e padrejtë, edhe mundohet të puthitet me shoqërinë ideale, por nuk arrin as njëherë plotësisht. Në pjesën e sfondit ne shohim gërvishtje, zhurmë dhe kjo është çfarë ndodh në shoqërinë reale. Në mes të gjithë këtyre ndodhet Uni. Mundohet të rijë një Un i drejtë, I pandryshuar nga gjithë kjo padrejtësi që e rrethon”, shprehet Enea Muka, nxënës.

Për kuratorin, e rëndësishme ishte idea e krijimit apo zhvillimit të botës që çdokush nga studentet e ka në mënyrë personale.

“Këto janë zgjedhur nga një komision profesionist mbi bazën e një kontrate që nënshkruam me institucionin e OSBE. U përzgjodh një komision nga Liceu prej pesë vetësh dhe profesionistët patën parasysh anën teknike në realizim të çdo nxënësi”, thotë Ahilino Palushi, koordinator, kurator.

Top Channel