Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës, e duke qene se taksa është bërë pengesë në këtë drejtim, duam heqjen e saj dhe kthimin e të dy palëve në tryezën e bisedimeve: komentin e beri zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd.

Qe prej vendimit të Prishtinës për të vendosur tarifën 100% mbi produktet serbe, Beogradi është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke e kushtëzuar vazhdimin e negociatave me heqjen e taksës se shumëdiskutuar.

Ekzekutivi kosovar nga ana tjetër këmbëngul se se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njohe Kosovën. I pyetur se çfarë pret nga takimi i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, nën organizimin e Gjermanisë dhe Francës, Palmer tha se Uashingtoni e mbështet plotësisht atë që bëjnë partnerët europianë për zgjidhjen e problemit. qëllimi ynë i përbashkët, nënvizoi ai, është të arrihet marrëveshja.

Ndërkohë, këshilli Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, njoftoi se ne 12 qershor, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, do të qëndrojnë në Kosovë për të shënuar hyrjen e trupave të NATO-s atje 20 vjet më parë. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, u bë e ditur se Clinton do të mbajë një fjalim në ceremoninë qendrore, që do të zhvillohet po atë ditë në Prishtinë.

Top Channel