Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç patën një përplasje lidhur me një marrëveshje të mundshme mes Prishtinës dhe Beogradit.

Të dy ata kanë marrë pjesë në Forumin “GloboSec” në Sllovaki, ku bashkë me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kanë qenë pjesëtarë paneli. Thaçi e akuzoi Presidentin serb Vuçiç për kushtëzim dhe pengim të vazhdimit të dialogut me Kosovën.

“Ne duam një marrëveshje me Serbinë që do të sillte njohje reciproke, pa kufij me vija etnike; një marrëveshje e cila do të sillte anëtarësimin e Kosovës në OKB e po ashtu, edhe njohjen e saj prej pesë vendeve të BE-së, përfshirë Sllovakinë”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, ende ka gjasa që marrëveshja arrihet këtë vit, por vetëm nëse Serbia tërhiqet nga pengesat që i bën dialogut. Por, Vuçiç kishte tjetër mendim. Për zotin Thaçi, e gjithë Kosova i përket shqiptarëve të Kosovës apo kosovarëve e është dhe shtet i pavarur. Por, sipas Kushtetutës së Serbisë, e gjithë Kosova i përket Serbisë dhe bota është e ndarë për këtë çështje. Megjithatë, më tej kërkoi sërish heqjen e tarifave duke treguar se negociatat paskësaj mund të vazhdojnë.

“Jam i interesuar për ato miliona që i takojnë popullit serb, prandaj jam i etur për ta fituar atë shumë që ato populli ynë i meriton, kaq. Vetëm hiqni dorë nga tarifat dhe ne do të vazhdojmë me çfarëdolloj negociate që dëshironi”, u shpreh Vuçiç.

Thaçi e Vuçiç pritet të kryesojnë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të takimit të organizuar në 1 korrik në Paris nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, me qëllim nxitjen e procesit të dialogut.

Top Channel