Mediat kosovare e quajnë “serbi që dashuron Kosovën dhe popullin shqiptar”. Mund të tingëllojë e çuditshme nisur nga tensionet e mëdha mes dy vendeve, por është e vërtetë. Tomislav Perusic është një i ri nga Beogradi i cili prej disa vitesh e ndan jetën e tij mes kryeqytetit serb dhe atij kosovar

Dashurinë për këtë vend që shihet me aq skepticizëm në vendlindjet e vet, i riu e ka ripohuar se fundi për emisionin: #gjesi në T7.

“Shqiptarët në përgjithësi nuk janë të këqij dhe nuk e kanë për traditë ti bëjnë dëm dikujt”!- tha Perusic.
Perusic studion gjuhën shqipe dhe e ka zgjedhur qëllimisht një degë të tillë sepse sic pohon dhe vetë, ka dashur t’i njohë më mirë shqiptarët. Por nuk e ka pasur të lehtë me përzgjedhjen e bërë; ky vendim i tij i ka sjellë mjaft paragjykime sidomos nga miqtë e koleget, ndërsa ka pasur një mbështetje ngurruese nga familja. E ëma e tij është serbe dhe babai kroato-hungarez.

“Unë vij nga Vojvodina-Subotica dhe atje është rrafshine, nuk ka male dhe për këtë më tërheqin malet e lumenjtë, që ka në Kosovë dhe Serbi, sidomos malet e Sharrit, e Bjeshkët e Nemuna”, vazhdoi Perusic.

I riu nuk është mjaftuar me mësimin e shqipes; ai del hapur si përkrahës i shqiptarëve duke vendosur në dhomën e vet flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. E nisur nga të gjitha këto, nuk është çudi që djaloshi serb e konsideron një fyerje shumë të rëndë deklaratën e kryeministres Ana Brnabic që i quajti shqiptarët e kosovës “njerëz të zbritur nga mali”.

“Ajo ka dashur të tregojë se shqiptarët janë primitiv, por është gabim; unë kam vënë re se janë shumë të qetë, kanë durim, dhe nëse tregon respekt, do te marrësh respekt prej tyre”- përfundoi serbi.

Top Channel