Të premten, më 7 qershor, 36 134 maturantë do të japin provimin e parë, atë të gjuhës së huaj në mjediset e shkollës. Provimi do të nis në orën 10 dhe do të zgjas dy orë e gjysmë.

“Gjuha e huaj bëhet në nivelin B2, në ndryshim nga viti i kaluar që ka qenë në nivelin B1 me disa specifika të vogla, kjo për shkak se nuk ka më gjuhë të huaj me zgjedhje. Dihet që testi tani do të jetë 60 pikë, jo 50 sic kanë qenë jo vetëm për gjuhën e huaj por për të gjitha provimet e maturës shtetërore. Do të ketë patjetër pyetje me alternativa sikurse ka me zhvillim, dhe gjuha e huaj edhe ajo shqipe kanë dhe ese”, thotë Rezana Vrapi, drejtoresha e QSHA.

5 ditë më vonë, kohë e lënë në dispozicion për t’u përgatitur, maturantët do të bëjnë testin e gjuhës shqipe e letërsisë dhe më 17 qershor do të jetë testi i rradhës. Më 24 qershor, provimet e maturës shtetërore përfundojmë me lëndën me zgjedhje, që ndryshe nga matura e shkuar këtë vit do të jetë vetëm 1 dhe jo dy. Risi tjetër e kësaj mature është se testit i bashkangjitet një fletë e dedikuar për pyetjet me alternativa.

“Duke parë përgjigjet që kanë dhënë në test,do ti hedhin në fletë përgjigje ku secila pyetje ka katër alternativa të vendosura në rradhë dhe në përputhje me alternativën që ata gjykojnë të saktë, A B C apo D, do të mbushin edhe rrethin përkatës. Më pas kjo fletë do të shkëputet nga testi, por sigurisht që ajo lidhet me testin nëpërmjet një bar code dhe nuk do ketë ngatërresa. Gjykojmë se kjo do ta lehtësojë procesin por mbi të gjitha do të rrisë saktësinë”, tha ajo.

Ndryshimi ka prekur edhe kutitë që do të mbajnë provimet për t’I transportuar në shkollat përkatëse, nuk do të jenë më kartoni por do të jenë të siguruara.

Për 15 nxënës do të ketë një mësues mbikqyrës si dhe nuk do të mungojnë bllokuesit e valëve, për të pasur një proces të drejtë testimi.

“Ditën e provimit duhet ta lënë në shtëpi celularin, të shkojnë në klasë dy orë e gjysmë të japin provimin dhe gjithcka mbyllet këtu”, përfundon ajo.

Top Channel