Edhe një tjetër herë, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës të heqë tarifën për mallrat serbe, në mënyrë që të rifillojë dialogu i ndërprerë me Serbinë.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer tha se, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë sa më shpejt. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një afat të caktuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara nuk vendosin vija të kuqe në procesin e bisedimeve, por kjo nuk nënkupton se të gjithë mundësitë janë të hapura”, tha Palmer në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

  Palmer: Nuk vendosim afate e dhe vija të kuqe në bisedimet Kosovë – Serbi

“Ajo çfarë ne do të dëshironim të shikonim është një marrëveshje me autorësi lokale, një marrëveshje të qëndrueshme, një marrëveshje të drejtë, një marrëveshje të zbatueshme dhe që mund të pranohet nga publiku i të dyja palëve, që mund të zbatohet drejt dhe plotësisht, e një marrëveshje që mund të çelë rrugëtimin drejt së ardhmes europiane”, tha Palmer.

Duke u ndalur te tarifa ndaj mallrave serbe, e cila është arsyeja që pala serbe ka ndërprerë bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovën, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin heqjen e tarifës nga ana e autoriteteve të Kosovës.

“Ne besojmë se interesat e Kosovës shërbehen më mirë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin, e për të arritur atë marrëveshje, ata duhet të kthehen te dialogu. Për të arritur te dialogu është e rëndësishme që tarifat të eliminohen, si një pengesë për përparim”, tha Palmer.

Top Channel