Wake Up/ Rezana Vrapi: Vlerësimi elektronik në testet e maturës shmang gabimet njerëzore

05/06/2019 12:45

Vetëm pak ditë i ndajnë rreth 35 mijë maturantët në të gjithë vendin të cilën në datën 7 qershor, këtë të premte do t’i nënshtrohen provimit të parë të maturës 2019 që është ai i gjuhës së huaj.

Në fakt këtë vit ka ndryshime për sa i përket strukturës së provimeve të cilat do të jenë më pak në numër nga pesë në katër, por edhe në përpilimin dhe vlerësimin e tyre këtë vit ka risi.

Një pjesë e tyre do të vlerësohen për herë të parë elektronikisht duke shmangur gabimet njerëzore që mund të jenë bërë në vitet e kaluara, ndërkohë që janë shtuar edhe penalitetet për ata që do të mundohen të kopjojnë.

Përmes udhëzimit të Maturës Shtetërore maturantët janë njoftuar kohë më parë që do të kenë një provim me zgjedhje më pak jo më 2, siç ka ndodhur që nga viti 2006, kur në sistemin e mesëm arsimor u aplikua për herë të parë testimi përmes parimit meritë-preferencë.

Pra, maturantët e vitit 2019 do të japin gjuhën e huaj në datën 7 qershor, gjuhën shqipe dhe letërsinë në 12 qershor, matematikën në 17 qershor dhe provimin me zgjedhje në 24 qershor.

Top Channel