Nga rrëfimet e banorëve, ka edhe një moment tepër delikat që nuk është thënë më përpara.

Fatmirësisht, djali i vogël i Fatmir Xhindit, Albano, këmbëngul që të mos kthehet në shtëpi, por të qëndrojë në fshat tek gjyshi. Këmbëngulja e djalit shmangu një krim të dyfishtë.

“Çuni iu lut për të qëndruar, ai i tha hajde ikim, jo i tha djali do rri te gjyshi. I hipi makinës dhe iku”, tregon Xhevahir Abedinaj, banor i Kurjanit.

Xhindi niset i vetëm drejt banesës në Roskovec me fuoristradën e zezë dhe pa djalin e tij të vogël. Ai dukej i qetë si gjithmonë dhe i kënaqur pasi kishte punuar në tokën e tij, pasion që e ndoqi deri në ditën e fundit të jetës.

“Nëqoftë e do kishte ndonjë shqetësim atë ditë minimumi ishte të mos shkonte vetëm në Kurjan, pistoletën e kishte me leje, mund ta merrte dhe pistoletën, edhe shoferin e kishte nga shteti e mund ta merrte, ndëkrohë ai lëvizte i vetëm, pa shofer, pa shoqërues”, tregon Anduel Xhindi, djali i Fatmir Xhindit.

E mësuar me oraret e Fatmirit, në muzg, bashkëshortja Xhemilja, lë hapur portën e jashtme metalike në mënyrë që ai të futej direkt me makinë sapo të mbërrinte.

“Rreth 1 javë para se të ndodhte, kemi qenë te shtëpia në Roskovec dhe ka ardhur vëllai i tim ati, e i thotë, ti mundësitë i ke, vendos një kamer dhe një që të hapej dera elektronikisht, se tani je deputet, këto muhabete vëllazërore, im atë siç ishte duke punuar se e kishte me shumë qejf të merrej me baçen te shtëpia i tha mirë je zgjuar apo mos nuk je ngopur me gjumë, ka qenë 1 javë para se të ndodhte”, tregon Anduel Xhindi, djali i Fatmir Xhindit.

Rreth 30 metra larg banesës, në një rrugicë të mbuluar nga bari i lartë afrohet një person që nuk u identifikua kurrë.

“Këtu ka qenë me barishte goxha të mëdhaja dhe nuk kalonte as makinë asgjë, këtu ishte bërë vendi që mendohet se ishte autori duke pritur Fatmirin, kishte pirë dhe cigare, është gjetur bishti, u gjet dhe një pako aspirinë”, tregon Ilir Xhindi, vëllai i Fatmir Xhindit.

Errësira kishte rënë dhe vendi ku qëndronte personi kishte fushëpamje drejt hyrjes së banesës së deputetit. Po ashtu, ajo rrugë të jepte mundësinë e largimit pa u diktuar nga askush.

“Këtu jemi 30 metër larg banesës, sepse dukej makina kur vinte se s’kalonte asnjë lloj makine, vinte makina me drita dhe ai e dinte shumë mirë që Fatmiri ishte makina me drita”, tregon Ilir Xhindi, vëllai i Fatmir Xhindit.

Fuoristrada e deputetit Xhindi mbërrin dhe mjeti drejtohet brenda oborrit të banesës. Ai zbret nga makina, dhe hap derën e bagazhit për të nxjerrë rrobat e punës që përdori te toka në fshat.

Nga rruga përballë, përbri kësaj magazine, nisin të shtënat e kallashnikovit drejt deputetit. Xhindi goditet pas shpine me 6 plumba. Autori afrohet, e qëllon edhe nga afër në kokë për tu siguruar që ti marrë jetën.

“Policia na ka thënë që i ka bërë në tre pozicione të shtënat, nga larg, duke afruar deri te vendi ku është siguruar që ka vdekur”, tregon Ilir Xhindi, vëllai i Fatmir Xhindit.

Vrasësi ndjek të njëjtën rrugë nga kishte ardhur, duke dalë pas magazinës. Aty, del në unazën e qytetit dhe kalon në këmbë përtej kryqëzimit që ndan rrugët drejt komunës së Kurjanit dhe asaj drejt Beratit.

“Dhe qeni këtë rrugë ka ndjekur deri sa i ka nxjerrë në rrugë kryesore matanë ku janë humbur gjurmët”, tregon Ilir Xhindi, vëllai i Fatmir Xhindit.

Një bashkëpunëtor mendohet se e priste me makinë për tu larguar në drejtim të paditur dhe për të mos u gjetur as sot e kësaj dite. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:45 minuta, por pavarësisht breshërisë së armës, familjarët nuk kishin kuptuar asgjë.

Top Channel