Wake Up/ Helidon Haliti: Me “Street Art”, Shqipëria në hartën e muraleve të botës

04/06/2019 14:17

“Street Art” është një formë mjaft interesante për të transformuar objekte të ndryshme duke i kthyer ato në vepra arti dhe pse jo duke i bërë të duken të rinovuara.

Disa prej artistëve të mëdhenj të Street Art, të njohur në të gjithë botën, kanë bashkëpunuar me bashkinë e Patosit, duke ndërhyrë në disa prej ndërtesave, pallateve apo fasadave të qytetit.

Ky projekt sapo është mbyllur dhe synimi është që pas këtij transformimi të tërhiqen sa më shumë turistë për të vizituar zonën. Artistët, me mbështetjen e kuratorit Helidon Haliti, kanë gërshetuar tre teknika të ndryshme: iluzionin, 3D dhe realen duke shfrytëzuar vendin fizik.

Koncepti i idesë për këtë qytet është i bazuar në gjetjen e ekuilibrave midis mjedisit dhe industrisë së nxjerrës së naftës, duke qenë se Patosi njihet për këtë industri.

Për të realizuar këtë projekt kanë punuar 10 artistë ndërkombëtarë, së bashku me ndihmësit e tyre, janë pikturuar fasadat e 6 pallateve në total me një sipërfaqe prej rreth 1,200 m2. Më herët një projekt i ngjashëm është realizuar edhe në qytetin e Urës Vajgurore, ku muralet e kësaj zone u renditën si ndër 10 më të mirat në botë për vitin 2018. Festivali “Street Art” do të vijojë edhe në qytete të tjera.

Top Channel