Vitrina e Librit/ Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Një monografi dokumentare për heroin kombëtar

03/06/2019 11:30

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU – JETA DHE VEPRA
Nga AK. KRISTO FRASHËRI

‘Nuk është i saktë pohimi i disa historianëve skeptikë, se Skënderbeun e ngriti në piedestalin e historisë shekullore, jo vepra e tij, e cila sipas tyre ka qenë modeste, por Marin Barleti me stilin e vet elegant, klasik dhe humanist. Në këtë punim provohet e kundërta. Është Skënderbeu ai, që me madhështinë e veprës së tij frymëzoi bashkëatdhetarin e vet, Barletin të shkruante për atë veprën e pavdekshme.’

Kështu shkruan, historiani i njohur Kristo Frashëri në një faqe të parathënies së tij për veprën, që ai përgatiti para se të shkonte nga kjo botë, duke na lënë një pasuri të patjetërsueshme. Autori e ka konceptuar hartimin e kësaj monografie mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të lidhur edhe me paraqitjen e burimeve historike dokumentare të shek. XV, dokumentet bashkëkohëse të heroit, që fillojnë me kohën e Gjon Kastriotit dhe mbarojnë me vdekjen e Skënderbeut. Monografia është vëllimi i parë i kolanës që ndiqet nga nëntë vëllime me burime dokumentare, të cilat botohen për herë të parë. Po përse ky konceptim, me shtrirje kaq hapësinore dhe vëllimore e veprës? Cila është arsyeja që Ak. Kristo Frashëri, nuk u mjaftua si zakonisht me citime e referenca të këtyre burimeve dokumentare në faqet e monografisë së tij, por i paraqiti të gjitha ato në vëllime shoqëruese? Për Vitrinën e Librit prof. Pëllumb Xhufi sqaron se ky botim i kolanës dhjetëvëllimëshe me burime për Gjergj Kastriotin nuk është i pari për ak. Frashërin. Veprën e parë ai e shkroi në moshën 16-vjeçare, por jeta bëri që në të gjallë të tij, ta cilësonin si historianin e ngjarjeve madhore të historisë së Shqipërisë. Sot nga pena e tij kemi këtë botim të plotë mbi Skënderbeun në dhjetë vëllime. Por, “mjerisht” ai nuk ndodhej për ta parë të botuar veprën e plotë edhe pse që në fëmijëri detyra, që ai mori përsipër ishte atërore, që mbi çdo gjë të bëhej një historian i ndershëm për të shkruar historinë e vendit të tij, aq të munguar prej shekujsh. Akademia e Shkencave pak kohë më parë botoi të plotë veprën e Kristo Frashërit për Skënderbeun dhe Luftën Shqiptaro-Osmane, që do t’i shërbejë jo vetëm vendit, por edhe studiuesve edhe historianëve të ardhshëm.

Kjo vepër monumentale, shton prof. Xhufi i bën mirë studentëve të historisë dhe jo vetëm. Edhe kolegëve të tij, duke u dhënë bujarisht një pasuri të jashtëzakonshme dokumentacioni mbi figurën më të madhe të historisë së kombit shqiptar. Ai fton historianët e rinj, të sotëm edhe ata që do të vijnë, që të futen në labirintin e dokumenteve historike, të patrajtuara deri më sot sepse burimet e ofruara nga Kristo Frasheri dëshmojnë se në historiografinë e mëparshme ka pasur kufinj, përzgjedhje, apo dhe lënie në heshtje të dhënash që “nuk i vinin mbarë” politikës shkencore të dikurshme. Në fakt duhet shtuar se Akademiku Kristo Frashëri dikur ka folur që kishte ndërmend të koleksiononte dy vëllime specifike me dokumente për Skënderbeun, Gjergj Kastrioti me gojën e vet dhe Gjergj Kastrioti pa Barletin, ndaj në këtë kolanë falë punës së tij ne i kemi tani këto burime. Ndër të tjera prof. Pëllumb Xhufi thekson se duhet shpjeguar se e vërteta është se Kastriotët nuk ishin familja patronimike më e rëndësishme arbërore në shek. XIV-të. Ishin Arianitët, Topiajt, apo dhe Dukagjinët. Ndaj në këtë kolanë ka shpjegime të mjaftueshme dokumentare që tregojnë si u bënë Kastriotët familja patronimike më e rëndësishme një shekull më vonë. Dokumentet për Skënderbeun në kolanën e Kristo Frashërit janë koleksionuar prej 13 gjuhësh. Ndaj dhe ne mund t’i konsiderojmë këto burime të memorizimit historik të figurës së Skënderbeut si monumentin e parë kushtuar atij. Sot akademiku Kristo Frashëri na rishfaqet me stilin më të mirë të tij, përfundon bisedën Xhufi, komplet origjinal me monografinë e plotë mbi jetën edhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit, të riparë edhe të plotësuar, si dhe plot nëntë vëllime dokumentare, që e shoqërojnë atë. Siç autori e parathotë, në botimin e plotë të monografisë në vitin 2002, ishin mbledhur që në atë kohë prej tij, por mungonin burimet financiare, mungonte edhe interesimi nga institucionet.

Kristo Frashëri ishte një historian i shkëlqyer, sepse ishte edhe një qytetar-patriot i shkëlqyer, që jetoi katër regjime, të Zogut, të pushtimit, atë komunist, edhe demokratik, duke i kaluar pa bërë kompromise me asnjërin prej tyre, duke qenë në pozita kritike edhe duke dhënë vetveten.

Top Channel