Por deklarata më e fortë e Berishës në emision, ishin akuzat për Thaçin, të cilin e konsideron argat të Serbisë, por pa paraqitur një provë konkrete.

“Mendoj që është në kontekstin e përplasjes që ka Berisha me Thaçin, është akuzë e fortë por politika shqiptare I ka këto akuza”, tha Robert Rakipllari, gazetar.

“Që të konsiderohet Zoti Thaci në atë mënyrë, nga Zoti Berisha e tejkalon edhe sensin e masës. Nuk i gjej asnjë shpjegim përveç atij që për lojëra të vogla pushteti ne trazojmë gjëra shumë herë më të mëdha se edhe vetë individët me apo pa pushtet”, tha Lorenc Vangjeli.

Në grupin e atyre që i cilëson si argatë apo shërbëtorë të politikave të Serbisë, Sali Berisha liston edhe pasardhësin e tij Edi Ramën. Sipas Berishës, ata të dy janë takuar bashkë me gazetarin Baton Haxhiu para pak ditësh në Tiranë dhe kanë bërë pazare mbi integritetin territorial të Kosovës, për interesa të Serbisë.

“Fjala e një politikani me këtë peshë duhet të ishte vetë prova, vetë burimi i provës, konfirmimi i faktit, por fjala këtu është keqpërdorur aq shumë sa nuk do të habitesha që në atë moment zoti Berisha ose një si vëllai i tij, do të thoshte se në atë darkë pinë edhe uiski dhe kishin 7 balerina ekzotike dhe njëra prej tyre kishte këmbën e vrarë”, tha gazetari Lorenc Vangjeli.

Top Channel