André Villas-Boas është trajneri i ri i Olympique Marseille. Klubi francez zyrtarizoi pasditen e së martës nënshkrimin e kontratës me portugezin, për të bërë më pas edhe prezantimin e tij.

Villas-Boas, 41 vjeç, nuk drejtonte një skuadër që pas largimit të tij nga skuadra kineze e Shanghai SIPG në nëntor të vitit 2017. Trajneri portugez, që zëvendësoi Rudi Garcian, firmosi me skuadrën e Marseilles një kontratë dyvjeçare.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Për mua është diçka fantastike që të bashkohem me këtë klub. Sigurisht na pret një sfidë e madhe përpara dhe ne do të bëjmë gjithçka për të arritur objektivat tona, për të cilat kam folur edhe me drejtuesit e klubit. Do të duhet të bëjmë gjithçka që të mbyllim sezonin në 3 vendet e para të Ligue 1”, tha Villas-Boas.

Villas-Boas ka qenë asistenti i Jose Mourinhos përpara se të fitonte emër me skuadrën e Portos, me të cilën fitoi 3 tituj në sezonin 2010-2011, mes të cilëve edhe ai i Europa League, duke u bërë trajneri më i ri në histori që fiton një kompeticion të UEFA-s.

Suksesi me Porton e çoi atë te Chelsea, ku qëndroi për 7 muaj, për të kaluar më pas te Tottenhami. Te skuadra londineze ai qëndroi 18 muaj. Në vitin 2014 u transferua në Rusi te Zeniti, të cilin e drejtoi drejt një titulli kampion dhe një Kupe të Rusisë gjatë dy viteve të qëndrimit të tij.

Më pas kaloi te skuadra e Shanghait, për t’u larguar në vitin 2017, ndërkohë që pas kësaj mori pjesë edhe në “Rally Dakar”, kompeticion nga i cili u tërhoq pas një aksidenti të pësuar në etapat e para.

Top Channel