Braziliani Juninho rikthehet te skuadra e Olympique Lyonnais, këtë herë në rolin e drejtorit sportiv. Pasditen e së martës është bërë edhe prezantimi i tij, së bashku me atë të trajnerit të ri të skuadrës, Sylvinho.

“Sigurisht që kam dyshimet e mia, pasi kjo është hera e parë për mua që do të luaj rolin e drejtorit sportiv. Sidomos tani, në një kohë që përcaktova edhe trajnerin e ri”, tha Juninho, që si futbollist ka qenë pjesë e Lyonit në periudhën 2001-2009.

“Falënderoj presidentin Aulas për besimin e tij. Tani kam pak frikë, pasi pritshmëritë për mua janë të larta për shkak edhe të historisë sime si futbollist me këtë klub, por tashmë karriera ime si lojtar ka përfunduar”, shtoi ai.

Ndërkohë, Sylvinho, ish-futbollist i Barcelonës, ka përjetuar një eksperiencë si trajner, por në rolin e asistentit tek Interi dhe përfaqësuesja braziliane. Në fjalën e tij, Sylvinho deklaroi se preferon të aplikojë sistemin e lojës 4-3-3, ku skuadra të ketë zotërimin e topit në fushën kundërshtare, ndërkohë që paraardhësi i tij Genesio preferonte skemën 4-2-3-1.

“Detyra ime është të përmirësoj punën që është bërë deri tani. Gjithnjë kam qenë i përqëndruar te puna si trajner në Europë”, tha Sylvinho.

Sylvinho bëhet trajneri i parë i huaj i Lyonit që nga viti 1987, kur Jean Michel Aulas mori presidencën e klubit, dhe i dyti në të gjithë historinë e tij.

Top Channel