Policia spanjolle ka ekzekutuar disa masa arresti si pjesë e një hetimi për trukim të ndeshjeve. Në pranga kanë rënë ish-lojtarë, por edhe futbollistë aktualë, sikurse edhe shefa klubesh, që siç raportohet, janë nga klubet e dy kategorive më të larta të futbollit spanjoll.

“Aksioni i policisë vjen pas padive të ngritura për trukim të mundshëm ndeshjeje, për një rast që daton majin e vitit 2018, nga autoritet e La Ligës dhe ato spanjolle”, tha zëdhënësi i Ligës profesioniste spanjolle të Futbollit.

La Liga, nga ana e saj ka raportuar edhe 8 raste të tjera në polici, të dyshuara për trukim rezultati.

“Gjatë sezonit 2018-2019, La Liga ka dorëzuar 8 aktpadi te komisioneri i përgjithshëm i policisë gjyqësore, për akte të pretenduara si të lidhura me trukimin e ndeshjes në divizionet më të ulëta të futbollit spanjoll, si dhe për miqësore pa vlerë mes klubeve të huaja në Spanjë”, thuhet në deklaratën e La Ligës.

“Ne kemi dhënë gjithashtu alarmin për Direktoratin e Përgjithshëm të Lojërave për 18 ndeshje futbolli, në mënyrë që të mund të identifikoheshin dhe të sanksionoheshin lojtarët e divizioneve të ulëta, që mund të kenë vendosur baste në mënyrë të paligjshme mbi ndeshjet ku kanë marrë pjesë”.

Deklarata përfundon me falënderimin e policisë për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për të shkatërruar atë që duket të jetë një grup i organizuar kriminal, i dedikuar për përfitime të paligjshme ekonomike përmes paracaktimit të rezultateve të ndeshjeve të futbollit.

Top Channel