Njeriu që ka në duar “de facto” frerët e pushtetit në Rumani përfundoi prapa hekurave për korrupsion, pas dështimit të përpjekjeve të tij për të apeluar një dënim të mëhershëm gjykate.

Kreu i Partisë Social-Demokrate, Liviu Dragnea është dërguar në Burgun e Rahovës, në periferi të Bukureshtit, skenar ky të cilin ishte përpjekur ta shmangte me çdo kusht.

“Shko në burg” thërrisnin turmat e njerëzve të mbledhur përpara shtëpisë së tij, ndërsa politikani më i fuqishëm në vend u mor nga banesa për të nisur ndëshkimin trevjeçar e gjysmë prapa hekurave.

Dragnea u shpall fajtor vitin e kaluar për faktin se përdori ndikimin e tij për t’i garantuar punë të rreme në një agjenci shtetërore dy grave, që asokohe punonin për PSD-në.

Gjykata Supreme e Rumanisë vendosi ta lërë në fuqi dënimin e parë, të cilin 56-vjeçari e kishte apeluar. Dragnea ishte gjithashtu figura kyçe pas reformës së shumëdebatuar të gjyqësorit në vend, që çoi drejt protestave të dhunshme dhe errësoi Presidencën e parë të BE-së nga Rumania.

Pavarësisht triumfit të socialdemokratëve në vitin 2016, ambicia e tij e thellë për t’u vendosur në krye të ekzekutivit nuk arriti të materializohej, e shkak u bë një dënim i mëhershëm i pezulluar për mashtrim elektoral.

Pavarësisht kësaj, Dragnea arriti të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në qeverisje, edhe prapa kuintave, falë caktimit të ndjekëses së tij të bindur, Viorica Dancila, në postin e kryeministres janarin e vitit 2018.

Top Channel