Sipas Partisë Demokratike, për të fshehur korrupsionin, kryeminsitri Rama ka klasifikuar si sekret shtetëror qindra tendera me vlerë miliona euro.

Në një dalje për mediat, Grida Duma shprehet se Edi Rama dhe agjencitë e tij refuzojnë t’u japin përgjigje për tenderat e shpallur sekret shtetëror dhe që cënojnë hapur konkurrencën.

“Kushdo që ka vjedhur, duke konsideruar sekret shtetëror vjedhjen e Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi penale”, theksoi Duma.

Deklarata e plotë e Grida Dumës
Në ditët e fundit të saj, qeverisja e Edi Ramës mund të përkufizohet me fare pak fjalë: Ajo është qeveria më e korruptuar e tre dekadave të fundit në Shqipëri.

Gjatë drejtimit të vendit nga Edi Rama jo vetëm që 1 në 3 tendera është dhënë pa garë, jo vetëm kontratat koncesionare prej miliona eurosh mbahen të fshehta, por edhe tenderat e Edi Ramës për miqtë dhe klientët e tij janë sekret shtetëror.

Rrjeti investigativ BIRN ka zbuluar se, që kur erdhi në pushtet, qeveria e Edi Ramës ka klasifikuar si sekret shtetëror 216 tendera me vlerë miliona euro. Fare pak prej tyre janë të tillë që mund të klasifikohen si sekret, ato të Shërbimit Informativ apo të Prokurorisë.

Qindra tendera të tjerë që Edi Rama fsheh janë pjesë e luksit qeveritar, mirëmbajtje godinash, përfshirë kryeministrinë, shërbime qeveritare apo kontrata që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit.

Pjesë e klasifikimit të kontrave publike si sekret është edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili refuzon t’u japë gazetarëve të BIRN-it të dhëna për tenderat e klasifikuar në mënyrë të paligjshme.

Kjo është e njëjta agjenci, që miratoi projektin e Unazës së Re ku 1 kilometër kushton 20 milionë euro dhe shpalli fitues kompaninë fantazëm të krijuar me dijeninë e qeverisë së Edi Ramës në bazë të dokumentave të fallsifikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është skandaloze që tenderat për rrugët apo mirëmbajtjen e tyre klasifikohen si sekret shtetëror. Kjo vetëm shmang llogaridhënien dhe transparencën, duke I fshur publikut abuzimet dhe shekeljet me ligjin.

Partia Demokratike dënon si vjedhje, korrupsion dhe të paligjshme këtë sjellje skandaloze të agjencive qeveritare në varësi direkte të kryeministrit, të cilat fshehin kontratat publike për të justifikuar grabitjen e miliona eurove nga taksat e shqiptarëve në favor të klientëve të Edi Ramës.

Klasifikimi i sekret shtetëror i qindra kontratave publike është cënim i hapur i konkurëncës dhe favorizm i paligjshëm i disa kompanive të tjera. Me fjalë të tjera është vjedhje, është korrupsion. Kjo është edhe arsyeja përse Edi Rama hesht dhe nuk u jep përgjgije gazetarëve të BIRN-it, kur ata i kërkojnë shpjegime pse gjatë qeverisë së tij tenderat sekret shtetëror janë rritur.

Këto fakte tregojnë sesi shqiptarët zhvaten dhe shkretëtohen, sesi Shqipëria përdoret si pronë personale pa respektuar kushtetutë dhe ligj.

Shqiptarët që po ikin të varfëruar dhe të zhvatur, meritojnë zgjidhje urgjente.

Partia Demokratike është angazhuar për të ndërtuar së pari rregullat e lojës që nisin nga themelet ku gjendet së pari sigurimi i votës së lirë, i zgjedhjes së lirë për të nisur rrugën e merituar të pasurimit dhe miqëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Askush nuk duhet të harrojë se kushdo që ka vjedhur, duke konsideruar sekret shtetësor vjedhjen e Edi Ramës, do të mbajë përgjëgjësi penale!

Top Channel