Bashkimi Europian ka reaguar pas aksioneve të fundit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar që ato “të bëhen në mënyrë ligjore dhe të komunikohen në mënyrë të duhur”.

Zëdhënësja e përfaqësues së posaçme të BE-së për Politikën e Jashtme, Maja Koçijançiç tha se “operacioni policor në Mitrovicë, që ka pasur në shënjestër individë të dyshuar nga ky rajon dhe pjesë të tjera të Kosovës, duhet të bëhet në mënyrë ligjore”.

Zëdhënësja tha se “janë në kontakt me lidershipin në Prishtinë dhe Beograd, prej të cilëve kanë kërkuar përmbajtje maksimale”.

  Aksion në veri të Kosovës, plagosen policë shqiptarë, dhjetëra të arrestuar

Ajo kujtoi se “sundimi i ligjit, duke përfshirë edhe presupozimin e pafajësisë, janë objektiva të cilat BE-ja i përkrah fuqishëm”.

“Operacionet policore duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit te të gjitha komunitetet. Operacione të tilla duhet të forcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim”, ka thënë Koçijançiç.

“Ne besojmë fuqishëm se të gjithë aktorët duhet të kenë më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor, duke respektuar në tërësi marrëveshjet e Brukselit”, theksoi ajo.

Top Channel