Aksioni i disa njësive policore, përfshirë Forcat Speciale, për arrestimin e personave që dyshohet se merren me kontrabandë në Zubin Potok dhe pjesë të tjera të veriut të Kosovës ka marrë përmasa dramatike.

Sipas medieve vendase, një polic ka mbetur i plagosur, ndërsa me dhjetëra persona kanë përfunduar në pranga. Serbët në Zubin Potok kanë ngritur barrikada nëpër rrugë, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.

Aksioni, nga sa pohon shtypi kosovar dhe ai serb, nisi në orën 6 të mëngjesit. “Tanjug” dhe “B92” flasin për disa serbë të ndaluar dhe thonë se episodi ka ngjallur zemëratën e banorëve serbë të 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat sipas tyre janë shënjestruar që të gjitha.

Shtypi kosovar flet ndërkohë për mbi 30 të arrestuar, që të gjithë persona të dyshuar se janë përfshirë në “krim të organizuar” dhe vepra të tjera penale. Në mesin e të ndaluarve ka edhe policë të Kosovës nga fshatrat e jugut të Mitrovicës, por gjithsesi dominojnë policët e kombësisë serbe.

Pas këtij aksioni, Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë të vihet në gjendje gatishmërie për ndërhyrje, e ky urdhër vlen edhe për Forcat Speciale serbe.

Top Channel