Zgjedhjet për PE, fitojnë partitë pro BE. Nacionalistët rriten në Itali e Francë

27/05/2019 09:51

Blloqet e mëdha të qendrës së djathtë dhe asaj të majtë në Parlamentin Europian e humbën shumicën e tyre të kombinuar. Ndërsa sollën një zhgënjim të thellë për to, zgjedhjet e 23-26 majit dëshmuan nga ana tjetër një rritje të mbështetjes për liberalët, “të gjelbrit” dhe nacionalistët.

Partia Popullore Europiane (EPP/PPE) mbetet për çdo rast blloku më i madh dhe pritet të krijojë një koalicion pro BE-së. Liberalët dhe “të gjelbrit” patën një natë mjaft të mirë, ndërsa nacionalistët presin të konfirmojnë triumfin në Itali dhe Francë.

  Zgjedhjet Europiane 2019: Grupet e mëdha humbasin kontrollin në parlament

Pjesëmarrja arriti të rrëzonte një trend të gjatë rënieje, duke mbërritur në gati 51 për qind. Populistët fituan terren në disa vende, por avancimi i tyre nuk ishte i përmasave të parashikuara.

  Pjesëmarrje historike për PE-në, ekstremistët ngjiten të udhëhequr nga Le Pen

Në Britaninë që përgatitet për shkëputje nga blloku, vota ishte praktikisht një ndëshkim për konservatorët në pushtet. Partia u dërrmua me nivelin më të ulët të votave në gati 200 vite, duke marrë vetëm 8.8 për qind. Nga ana tjetër, partia e porsaformuar e “Brexit”-it pretendon se shënoi një fitore të madhe. E ndërsa humbje patën edhe laburistët, liberal-demokratët rezultuan me një performancë mjaft të mirë.

Analistët mendojnë se PPE-ja mund të krijojë një koalicion të madh me socialistët dhe demokratët, si dhe mbështetjen e liberalëve dhe të “të gjelbërve”.

“Për të parën herë në 40 vite, dy partitë klasike nuk do të kenë më shumicën”, deklaroi Guy Verhofstadt. “Është e qartë se gjendemi përballë një momenti historik”, shtoi kreu i grupit liberal, sepse në PE do të ketë tani një balancë të re pushteti.

Triumfi i nacionalistëve, sidomos në Itali dhe Francë i ka dhënë një zë më tepër euroskeptikëve që kërkojnë t’i rrudhin fuqitë e Bashkimit Europian. Matteo Salvini ka punuar për krijimin e një aleance prej të paktën 12 partish dhe forca e tij politike i dha një shtysë të madhe sigurimit të më shumë se 30 për qind të votave, siç tregojnë rezultatet paraprake.

Top Channel