Diku nga janari i këtij viti, pasi i nisa një artikull që më kishin kërkuar për përkthimin e romanit Kanali Musolini, i cili do të përfshihej në një vëllim me aktet e kuvendit të organizuar për të nga Universiteti Roma 3, e lajmëroj që do të ndodhesha në Romë për dy javë, atë të fundit të prillit e fillimit të majit të 2019.

Më vjen një përgjigje e tillë: “Cara Diana,intanto grazie di cuore per l’articolo e felicitazioni per la borsa di studio alla Casa della Traduzione. Non so se sei mai stata a Latina, ma l’ideale per vederci tra aprile e maggio sarebbe proprio che venissi tu qui. E’ a mezz’ora di treno da Roma e Ivana ed io saremmo felici di averti con noi per tutto il tempo che vuoi, e farti così visitare l’Agro Pontino e i luoghi del Canale. Che ne dici? Ciao e stai bene. Un abbraccio forte, Ivana e Antonio Pennacchi.” U tha, u bë!

Për hir të historisë, më duhet të bëj një regresion në kohë. Në 2015 më thërret Petrit Ymeri presidenti i Shtëpisë Botuese Dituria, në zyrën e tij ku midis bisedave përherë të këndshme që zhvillohen në atë vend bashkë me të shoqen Marianën, më flet për romanin Kanali Musolini e autorin Antonio Pennacchi, fitues i Cmimit letrar Strega për 2010 me këtë roman. Pasi marr vesh pak a shumë përmbajtjen e romanit, unë, duke rrudhur disi buzët e duke e matur fjalën i them që mos më jep të përkthej romane me remineshenca të forta të letërsisë së realizmit socialist… Por paragjykimi është më i rëndi mëkat! Më bind që ta marr përsipër. E, në distancë kohe i jam fort mirënjohëse Petritit e Pennacchi-t. Ndërsa e lexoja, as pas 30 faqeve të para e kuptova që kisha ndër duar një kryevepër letrare. Më mori frymën përkthimi. Më shkriu ndjesitë leximi. Më përmbushi puna. Libri u botua. Me këtë rast, vjen në Tiranë vetë Autori, Pennacchi, bashkë me Ivanën, bashkëshorten, ëngjëllin mbrojtës të tij, figurën diskrete e të buzëqeshur që mban drejtpeshimet e drejtimet e gjithë ekzistencës së tij njerëzore e letrare. Do të bëhej një takim i hapur me të në mjediset e Institutit italian të Kulturës. Para se ai të vinte, kisha lexuar artikuj mbi të, recensione, kisha parë video në youtube të intervistave të tij të panumërta nëpër televizione dhe, kisha kuptuar se kisha të bëja me një luftëtar të racës në çdo kuptim: kundër rrymës, autentik, i lirë në mendim ashtu si edhe në veprim, i patrajtueshëm nëse dikush përballë tij merr pozicione fallse, i palodhshëm, i patrandur në bindjet e veta. Shkurt, u përgatita për “luftë”! Pasi mbarova fjalën time atë ditë, madje pa e mbaruar mirë, ai më kthehet dhe jo thjesht më përqafon, por më puth! Ndër të paktat herë që intuitat e mia dështuan: ai ishte gjithçka përveçse i patrajtueshëm, të paktën në atë ditë, të paktën me mua. Lindi një lloj miqësie e pazakontë në llojin e vet: me mail-e, me përshëndetje jo fort të shpeshta, por të ndjera e të sinqerta, pa fjalë të bukura, pa komplimente të ndërsjella, pa afeksion të tepërt. Secili ndjehej siç ishte.

Le të kthehemi tek dita ime e këtij maji. Treni arriti në Latina në orën 12 të drekës. Një stacion i paformë. I paidentitet. Edhe pse maj, binte shi e bënte ftohtë. Antonio me të shoqen Ivanën, po prisnin jashtë stacionit në makinë. Unë isha e shoqëruar nga im nip, Arsildi, që studion në Romë. Na afrohen: ai i gjatë, burrë fort i pashëm akoma sot, me këmbën që i nxjerr ca “telashe” e me bastunin në dorë; kurse Ivana, e ëmbël, diskrete, hija e qenësishme e tij. Pasi përshëndoshemi, ai ndalet poshtë strehës së stacionit për të pirë cigaren e tij të pandashme. Ndërkohë që e pin, ka një lloj mimike shumë të veçantë: e thith fort dhe e shtrembëron gojën sikur është duke i ardhur e ithtë cigarja. Ndërkohë që edhe unë e shoqëroj me cigaren time që nuk më vjen aspak e ithtë. E ai pyet tim nip si quhet; unë, e mësuar me italianët dhe vështirësinë e tyre unike për të shqiptuar emra që iu dalin jashtë skemës së tyre fonetike ku çdo bashkëtingëllore ka një zanore pas (gjë që i jep edhe muzikalitetin kësaj gjuhe bilbilash), isha e sigurtë për efektin e shqiptimit gabim të emrit të tim nipi: Arsild! Posi pra! Dështimi i dytë i imi me të: e shqiptoi me zë të lartë, u sigurua që e tha mirë dhe, çudia e çudive, gjatë gjithë ditës nuk e ngatërroi as edhe një herë të vetme!

Pennacchi kishte programuar gjithcka për atë ditë, me saktësinë e një kirurgu “letrar”. Po më priste dita e itinerarit konkret të romanit Kanali Musolini. Ai do të na çonte në të gjitha vendet reale që përmenden në roman, në vëllimin e parë e të dytë të tij. Do të prekja me dorë e do të shihja me sytë e mi vendet që aq shumë ishin ngulitur në kokën time gjatë përkthimit. Vende të imagjinuara nga unë, por reale, siç reale ishte edhe ngjarja e veprës.

Etapa e parë, shtëpia e tij në fshat. Hymë në oborr. Ndalet, ndez cigaren, më tregon se si e ka ngritur me duart e veta llaçin, si ka vënë në jetëëndrrën e tij për të patur shtëpinë e tij me Ivanën, gruan e dytë të tij me të cilën (pasi unë e pyeta në mënyrë disi jo fort diskrete) ishte dashuruar sapo e kishte parë. Më lajmërojnë që brenda dhe jashtë shtëpisë gjendet një numër jo i vogël macesh dhe qenjsh! Bëj sikur nuk më bën përshtypje. Në fakt, është e kundërta. Por ishte fillimi i ditës, nuk mund të tregohesha kaq nazelije pa vënë mirë këmbën brenda. Më tregon dhomën ku ka shkruar para se të blinte edhe apartamentin që kishte tashmë në Latina ku edhe jetonte në pjesën më të madhe të kohës. Këmba që e mundon (për të cilën nuk e pyes se çfarë ka), nuk e lejon të rrijë gjatë në një vend, i duhet të ulet herë pas here. Ndërkohë që e pyes se si është ndjerë kur ka marrë Çmimin Strega, më jep një përgjigje që më zbut zemrën e më emocionon: “Nuk e prisja, fare! Kur kanë shqiptuar emrin tim, unë nuk bëja gjë tjetër veçse rrotulloja sytë për të gjetur ku ishte Ivana! E thërrisja madje, Ivanaa! Më keq se Rocchi Balboa në film! Kërkush nuk më kishte rëndësi përveç saj, as Çmimi vetë! Doja t’i tregoja asaj se mundimet e përpjekjet e saj përbri meje nuk kishin shkuar dëm, se sakrificat që kishte bërë ajo duke më mbështetur në çmendurinë time për të filluar studimet universitare në moshën 45 vjecare duke lënë pas një jetë si punëtor fabrike, për të filluar të shkruaja letërsi atëherë kur të gjithë njerëzit korrin frytet e punës së një jete, nuk kishin shkuar dëm! Akoma edhe sot, Diana, më del gjumi e më bëhet se unë jam përsëri ai punëtori i fabrikës, ai që nuk e di nëse do të jetë më në gjendje të shkruajë romane të mira! Ankthi më shoqëron në pjesën më të madhe të kohës. Punoj natën kryesisht. Ditën pushoj. Por ankthi më rri ngjitur në lëkurë! Ankthi i përmbushjes së misionit tim për të shkruar, për të treguar gjithçka unë di, për t’iu dhënë jetë personazheve të familjes time që populluan këtë tokë! Jam duke bërë pjesën e tretë të Kanalit Musolini…”

Ikim nga shtëpia e fshatit dhe drejtohemi për nga Agro Pontino, nga i famshmi Kanali Musolini që ndan në dysh atë që Pennacchi në roman e quan Paralelja e Majtë. Vazhdon të bjerë shi. E teksa shoh atë Kanal të famshëm, ai është i pandalshëm në të treguar. Tregon gjithçka din. Unë pyes, pa fund. Nuk e ndjej se jam e tepruar me pyetjet e mia. Është ai që ma jep sigurinë se ndjehet ai më i kënaqur se unë teksa më rrëfen. E pyes për bashtinat, në italisht “poderi”, shtëpitë të cilat u ndërtuan nga Opera Nazionale Combattenti, enti asistencial i themeluar gjatë Luftës së parë Botërore e që nën regjimin fashist në 1923 e në 1926 kreu dy reforma me të cilat synonte transformimin e saj në një ent ekonomik, me qëllimin ndër të tjerë, të zhvillimit të bujqësisë. Vetëm në Agro Pontino, kënetë që për shekuj ishte tentuar të thahej e nuk ia kishin dalë (edhe vetë Neroni kishte bërë një përpjekje të pasuksesshme), fashizmi, Musolini, ia del ta bonifikojë duke sjellë nga Veriu, nga zona e Venetos mijëra e mijëra fshatarë kolonë, me një shpërngulje të organizuar në perfeksion për tri vjet me radhë, të cilëve iu premtua që nëse ia dilni ta bonifikoni, do të keni në këmbim tokën tuaj. Agro Pontino, është edhe mburrja e fashizmit. Nga 1932 deri në 1939, territori kënetor u zëvendësua nga një rrjet i fuqishëm kanalesh e rrugësh që lidhnin pikërisht më shumë se 3000 bashtina (poderi) me lagjet e reja rurale e me pesë qytetet e reja që u ngritën aty gjatë kohës së sundimit të Musolinit. Pennacchi është bir i prindërve e fisit të kolonëve venetë që u shpërngulën e që pas një pune çnjerëzore, më së fundi u bënë pronarë të tokës e të një shtëpie/bashtine. Pamë disa syresh. Shumica ishin ato që kishin qenë që në kohën e fashizmit, por që brezat që erdhën më vonë, me zgjerimin e familjeve i rindërtuan e i zgjeruan, por pa ia prishur fizionominë fillestare arkitektonike. Vetëm njëra ishte e pabanuar, e lënë pas dore. Ishte bash siç e kisha imagjinuar. E pyeta madje edhe për banjon e famshme që anëtarët e familjes Peruci e fshatarët e zonës, në imitimin e tingëllimit anglisht (si pasojë e pranisë së forcave aleate amerikane) e quanin “privy”. Vetëm atë nuk e kisha imagjinuar aq të vogël, aq të parehatshme, aq…jo banjo. Por që për fshatarët e mësuar prej shekujsh që t’i kryenin nevojat jashtë në fushë, ai ishte luks, pavarësisht se përpjekjet për ta quajtur në variantin tejet modern “privy” nuk iu ecte edhe aq e, përfundonin duke e thirrur “cesso” (nevojtore).

Erdhi ora e drekës. U rikthyem në Latina, në qytetin e ngritur nga fashizmi, ku gjithçka të kujtonte se veç ai mund ta kishte ndërtuar atë qytet aq katror, aq monoton, por që Pennacchi vazhdonte ta ngrinte në qiell. Kishin prenotuar për drekë në restorantin “Impero”. Ishte restoranti historik në qendër të qytetit ku Musolini hante sa herë që vinte aty. Nuk mund të mbante emër tjetër përvecse “Impero”! Nuk han shumë Antonio. Por ka kujdesin të na tregojë se çfarë të porosisim, pjatat e zonës. Ka shije të qashtra. Ndërkohë që ngrihem t’i bëj foto restorantit, vërej shikimet e njerëzve mbi Pennacchi-n e pastaj mbi mua. Ai është një lloj miti në ato anë. Por jo vetëm aty. Tre vjet më parë, kur pata shkuar të jepja një leksion mbi përkthimin në Romë gjatë Ditëve të Përkthimit, e pata ftuar të vinte në leksion. Erdhi. I përpiktë. I thjeshtë, si zakonisht. Kur mbaruam dolëm të pinim një kafe diku nga zona e Vatikanit. Ishim jashte lokalit. Njerëzit kalonin, e shihnin dhe ndalnin këmbët: Ju jeni Pennacchi? E ai iu përgjigjej të gjithëve, por me rehati, pa bezdi. E njëjta situatë u përsërit në Latina e më pas gjatë pasdites edhe në Sabaudia. E adhuronin. E ndalnin në rrugë. I kërkonin autograf. Madje, roja i parkingut sapo e pa i tha; Kur po e merr Çmimin Nobel? Dhe përgjigja mitike e tipike e një italiani popullor si Pennacchi: “Tié’”, me dy gishtat poshtë që do të kishte kuptimin “mos më merr mësysh”!!!

Ndërkohë që gjatë drekës im nip po diskutonte me të në lidhje me civilizimin dhe të keqen e diktaturave, Pennacchi e ndal me mënyrën e tij fort të dashur veçanërisht ndaj të rinjve (apo mbase ndaj tim nipi nuk e di; e deshi që në momentin e parë dhe u bë kompliçe me të): Ti mendon se ne e kemi mbërritur civilizimin? Prej këtu zuri fill biseda mbi këtë temë që u zgjat për nja një orë. Por, nuk kishim kohë. Itinerari letrar i romanit parashikonte kalimin nga Borget e cituara në libër, Carso e Podgora, nga Velletri. Ja edhe një nga arësyet pse romani Kanali Musolini nuk lihet në raft që ta zërë pluhuri sic ndodh rëndom me romanet e tjerë. Nuk mund të ndodhë kjo sepse Autori i tij beson tek historia që rrëfen, vesh petkun e protagonistëve e nëpërmjet leximit përjeton sot bëmat e të parëve të tij që vetëm prej “urisë” lanë shtëpi e katandi në Veneto e u shpërngulën në Lazio në kërkim të fatit.

Pas drekës, shkojmë në apartamentin që kanë blerë në Latina. Studioja e tij e mbushur me rafte librash që shkonin deri në tavan. E pyes se sa mund të ishte në total numri i vëllimeve që zotëronte. Nuk e dinte saktësisht. E prisja! Më tha se mund të ishin pak a shumë 5-6 mijë vëllime. E pyes se cili është profili i bibliotekës: letërsi klasike botërore, italiane natyrisht, libra historikë, arkitekture. Më dhuron 3 libra të tjerë të tij: Il fasciocomunista; Il delitto di Agora (i botuar kohët e fundit); si dhe një libër studimor të tij mbi qytetet e ngritura nga fashizmi. Stofa e një studiuesi në trupin e një shkrimtari! Dalim në verandë për të pirë sërishmi ai cigaren. Përballë është një si galeri me lokale. Mban emrin Pennacchi! Kthehem e çuditur pa e bërë pyetjen të cilën e priste: i kanë vënë emrin tënd? Thith fort cigaren dhe, në pak sekonda më lë të kem iluzionin që është kështu. Por, e shoqja ndërhyn: jo, Diana, ky është i vetmi element vaniteti i tij; është thjesht rastësi! Ai nënqesh poshtë mustaqeve.
Teksa kalojmë rrugës për të dalë nga qyteti, ai më tregon edhe garazhin Ruspi (i cili përmendet në vëllimin e dytë) që Musolini ia kishte dhuruar dashnores që mbante këtë emër e që akoma sot ishte aty. Ishte pikërisht Ruspi, kjo grua që e priste në Latina sa herë që Musolini kalonte andej, për të cilën Klaretta Pettacci bëhej xheloze. Këtë të fundit, Pennacchi e ka bërë personazh të vëllimit të dytë e, Pennacchi ka vënë aty pasazhe tëletrave origjinale që Musolini i niste Klaretës duke i revokuar vendet e bukura ku takoheshin së bashku atyre anëve. Por këtu qëndron edhe bukuria e lezeti i fjalës së Pennacchi-t kur, pas këtyre, me fincion shton letrën e kthimit të Klaretës që përsëriste rregullisht: “e di, e di (që më don…/sh.imi/) po Ruspi?”

Ndalemi tek një bar për të pirë kafenë e pasdites. Është bari i tij i zakonshëm. Përshëndetje, rrahje shpatullash. Me secilin që takon, i vërej dëshirën e ngutshme për të më prezantuar si përkthyesja e veprës së tij në gjuhën shqipe. Dalim. Nuk paguajmë. Më thotë: e vure re që nuk paguam? Epo, pronari i barit që kur e pata futur emrin e lokalit në roman, bëri paktin me mua që sa herë të vish këtu, nuk do ta paguash kafenë! Pennacchi, që nuk pati Perëndi të më linte të paguaja në restorant sepse e kishte urdhëruar kamarierin që në fillim (e kuptova kur shkova gjasme me “stil” të paguaja) që të mos më linte përndryshe fyhej, tani i gëzohej faktit që në atë bar nuk do të paguante maksimumi 6 euro për kafetë që morëm!

Pennacchi është në gjithcka i ekzagjeruar: tymos shumë, punon shumë, është shumë argëtues, është shumë konfliktual nëse nuk e bind dicka, tregon me pasion, me zell, tregon histori, është rrëfyes, por nuk të lodh me “estetizime” të jetës fshatare siç ka tentuar të bëjë gjithë letërsia italiane e shekullit të kaluar; ama, merr gjithcka me shumë seriozitet kur bëhet fjalë për punë e, mos e dhëntë Perëndia të shkarkon edhe gjithë zemëratat për një sekondë.

E nuk mund të mungonte edhe “konflikti” midis nesh! Kishin kaluar gati 4 orë që vijonim itinerarin letrar, e që po shkonim “si fort mirë e një mendje me të”. Ishim drejtuar për nga Sabaudia, qyteti me një plazh 15 kilometrash, me një panoramë të jashtëzakonshme që e bën të ngjajë me një ishull, i rrethuar nga Deti Tirren, në këmbët e një mali me profil njerëzor (antikët shihnin aty hundën e Circeos). Në këtë qytet ku kishin ndenjur, pushuar e frekuentuar ajka e kulturës italiane të shekullit të kaluar si Ercole Patti, Franco Rosi, Luchino Visconti, Anna Magnani e Elsa De Giorgi, Lorenzo Tornabuoni, Giorgio Moscon, Bernardo Bertolucci i cili xhiroi një nga skenat e filmit të tij “La luna sul lungomare”, Dario Bellezza e së fundi deri Alain Elkann, kisha qenë edhe herë tjetër, pikërisht në Parkun natyror të Circeos në një konferencë mbi Moravian. Duke e ditur që Moravia dhe Pasolini kishin blerë vilat e tyre aty e, duke qenë se Moravia kishte ngritur edhe një sistem të hekurt pune me një rutinë të patrandur duke punuar me makinën e shkrimit të tij që nga mëngjesi herët e deri në 11 të paradites, unë filloj e i flas për “dashurinë” tjetër letrare timen, pikërisht për Moravian. Por, Pennacchi nuk e gëlltiste dot këtë Moravian tim! Më ndërpret me forcë duke më thënë se pikërisht këta “radical chic” si Moravia e Pasolini e kanë shkatërruar Sabaudian! E kundërshtoj. Nuk më lë të flas. Unë isha ulur në sediljen e pasme të makinës. Ai fol. Unë kundërshto. Pas disa minutave që po “ziente” biseda, e kuptova që ai sa herë që unë merrja të fliste do të më pengonte. Epo, gjaku ballkanik është disi më i fortë edhe se ai i Pennacchi-t, de! Nga pas, e preki në sup dhe i them: “nuk don të më lejosh të flas, kështu? Epo do të flasim të dy përnjëherësh pra…” – i them. E shoh nga pasqyra e brendshme e makinës që e merrte gazi dhe, në atë moment i kthehet tim nipi që rrinte në sediljen përbri tijës: “Ooo, ma ‘sta zia è de’ coccio!” (Ouuu, po kjo tezja është krymushkë!) Pas kësaj fraze, e ndalëm disi turrin. Diku, në një shkrim e kam pas quajtur “gërrnjari i zbutur”. Paskam pasur të drejtë më duket.

Më e bukura është se Pennacchi-n, pas botimit të këtij romani, në shumë raste publiku lexues ashtu sikurse kritika letrare nuk ia kanë kursyer edhe epitetin “fashist”, vetëm nga qasja e tij objektive ndaj ngjarjes së bonifikimit të kënetave Pontine. E ta mendosh që ai është jo vetëm i majtë, por edhe më përtej! Më fliste për Tiranën që i kishte pëlqyer pa masë, për njerëzit që kishte parë rrugëve të cilët i ishin dukur me fytyra optimiste, për fermentimin e jetës që e ndjente në ajër. E pyeta se mos kjo përshtypje e tija ishte paksa asocimi mendor që ai i bënte një vendi ish komunist, me “fytyra të lumtura”? Jo, – më tha – dallon tek njerëzit dëshira për të bërë gjëra, jo si tek ne në Itali që na ka vdekur ora! Ndoshta kishte të drejtë. Duhet të dalësh nga lëkura jote për ta parë me një sy tjetër çfarë na rrethon.

Morëm rrugën e kthimit për në Latina. Treni nisej në ora 20.00. Ndenjën me ne deri kur u nis treni. Fliste, shpjegonte, pa u ndalur. Na ftoi të shkonim në verë, kur të mos kishte shi e kur dielli të ndriçonte fushat e të hidhte dritën natyrale mbi ato vise të shtrenjta për të. Të përqafon bukur. Është një thjeshtësi autentike e qenies së tij që të krijon rehati. Është Njeri. Është shumë Njeri, mbase më shumë se edhe shkrimtar. Më konfidohet duke më thënë se ka mbërritur në një pikë që do të donte më shumë të shijonte nipërit dhe Ivanën, se sa t’ia vidhte kohën vetes duke shkruar. Me mend, pa i thënë gjë, i jap të drejtë.

Futemi në tren. Im nip, vetëm 24 vjeç, e ndjej që më thotë: më lër 5 min t’i mbledh të gjitha ndjesitë, i kam të gjitha njëlloj të forta e më duhet pak kohësa t’i amortizoj. Ishte ndoshta ndër më të bukurat ditë që kam kaluar ndonjëherë! E përmbytur nga e njëjta gjendje, heshtim të dy. Latina është zhytur në terr. Në trup më çtendoset një ndjesi e thuktë mirëqenieje.

Top Channel