Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein tregoi përmes një mesazhi në “Twitter”, të postuar vetëm pak pas shpalljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, se nuk do të jetë më eurodeputet.

Por, ligjvënësi gjerman shtoi se, pavarësisht kësaj, angazhimi i tij në Europë e sidomos rajonin e Ballkanit nuk ka për të përfunduar.

“Sipas përllogaritjeve të para, unë nuk do të kthehem në Parlamentin Europian. Por, do të vazhdoj të jem i lidhur ngushtë me Europën dhe Ballkanin Perëndimor. Më shumë informacion, javën e ardhshme”, ka shkruar ai.

Partia e tij Socialdemokrate nuk pati performancën e shpresuar në këto zgjedhje, e Fleckenstein nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij, ndërsa pohoi se do të kishte dashur ta përfaqësonte edhe për mandat tjetër Hamburgun në PE.

SPD-ja, partnere e koalicionit qeverisës në Gjermani, pati rezultatin më të dobët të saj, ndërsa u spostua ndjeshëm nga “të gjelbrit”, të cilët me 20 për qind të votave rezultojnë të dytët në vend, pas Unionit Kristian-Demokrat konservator.

Top Channel