“Fiat Chrysler” i ka bërë francezes “Renault” një propozim që mund ta transformojë kryesisht të ardhmen e të dy gjigantëve të prodhimit të automobilëve, shkrirjen në një biznes të vetëm, ku secila prej kompanive do të kishte 50 për qind të aksioneve.

Sipas firmës italiane, një bashkim i tillë do të krijonte një lider global të automjeteve, me shitje makinash në nivelin 8.7 milionë. Prodhuesit e automobilëve po përballen me një presion në rritje kohët e fundit, të cilën e ka shtuar edhe më shumë kthesa e madhe drejt makinave elektrike dhe atyre që drejtohen vet.

Aksionet e të dyja kompanive në bursa u rritën ndjeshëm pas këtij njoftimi. Nëse “Renault” e pranon marrëveshjen, atëherë ujdia do t’i japë udhë krijimit të njërës prej perandorive më të mëdha të krijimit të automjeteve në botë. Prodhimi do të ketë një gamë të gjerë, duke nisur nga makinat e thjeshta, e deri tek ato të luksit.

Kompania franceze, aktualisht ka si partner kryesor “Nissan”-in japonez. Portofoli i “Fiat Chrysler” përfshin nga ana tjetër emra të famshëm si Fiatin, Ferrarin, “Alfa Romeo”-n, “Jeep”-in, “Maseratti”-n, “Lancia”-n, etj..

Top Channel