Dogana e Kosovës ka pasur që nga fillimi vitit, periudhën e vet më të begatë përsa i takon mbledhjes së të ardhurave.

Drejtues të saj sqaruan përmes një deklaratë për shtyp se brenda pesë muajve të parë të 2019-s, janë grumbulluar më shumë se 400 milionë euro. Kjo përbën një shifër rekord për institucionin në fjalë që prej krijimit të tij.

Deri më sot, thuhet në deklaratë, nuk ishte arritur të kapërcehej niveli i 400 milionëve euro në pjesën e parë të vitit, me saktësisht në pesë mujorin e parë”.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që shkoi, por edhe të viteve të mëparshme, rritja është mjaft e theksuar. Në 2017-tën, shifra ishte 383 milionë euro, ndërsa sivjet, të ardhurat hyrëse përbëjnë një shtim prej rreth 7.6 për qind.

Në fund të nëntorit, vitin e kaluar, qeveria e Ramush Haradinajt vendosi ta çonte nga 10 në 100% taksën doganore mbi produktet serbe dhe ato me origjinë nga Bosnje Hercegovina.

Kryeministri kosovar vazhdon të këmbëngulë në mbajtjen në fuqi të taksës polemizuese, pavarësisht presioneve ndërkombëtare, ndërsa Beogradi e ka shndërruar atë në pengesën kryesore të kthimit të tij në tryezën e negociatave dhe rinisjes së procesit të bllokuar të dialogut.

Top Channel