Zgjedhjet në vendin ku nuk e duan BE-në, shumicën e fiton Partia e “Brexit”-it

27/05/2019 10:13

“Partia e Brexit” e krijuar vetëm 6 javë më parë nga i ashtuquajturi “babai” i “Brexit”-it, Nigel Farage, ka arritur të fitojë më shumë eurodeputetë për çështjen e “Brexit”-it, ku partitë kryesore politike, konservatorët dhe laburistët kanë tentuar që pas referendumit të vitit 2016 të sajojnë tërë nuancat e grisë, ndërkohë që në referendum çështja ishte bardhezi.

Ndërkohë, në kampin tjetër, Liberal-demokratët dhe “të gjelbrit” kanë arritur të fitojnë më shumë vende se kurrë më parë, ashtu si dhe partia pro “Brexit”-it, duke u ushqyer mbi “kufomat” e dy partive më të mëdha në vend.

Konservatorët e Theresa Mayt pësuan humbjen më të madhe që nga vitet 1830, në kohën e Ligjit të Reformës së Madhe, kur demokracia parlamentare britanike filloi rrugën plot tortura drejt maturimit demokratik.

Laburistët opozitarë të Jeremy Corbyn dhe konservatorët e Theresa Mayt mezi arritën të marrin një të pestën e votave të elektoratit britanik, ku udhëheqësit e tyre kanë hyrë tashmë në histori për këto rezultate negative.

Rezultati pritet t’i shtyjë partitë politike drejt ekstremeve në qëndrimet e tyre për çështjen e “Brexit”-it, nëse do të duan të mbijetojnë elektoralisht. Laburistët do të duhet të lëvizin më shumë dhe më qartë drejt një referendumi të dytë ose votës popullore, qoftë edhe me zgjedhje të reja parlamantare, ndërsa konservatorët, pa drejtues të ri pas dorëheqjes së Mayt, drejt një “Brexit”-i pa marrëveshje me BE-në, pavarësisht dëmeve ekonomike për vendin.

Interesant është fakti se, po të mblidhen votat e të gjitha partive që janë pro një referendumi të dytë me ato pro “Brexit”, 9 milionë britanikë kanë votuar pro një referendumi të dytë, kundrejt 7 milionë pro “Brexit”-it. E nëse do të futen në këto grupe, laburistët me partitë pro Bashkimit Europian dhe konservatorët me partitë pro daljes nga BE-ja, shifrat shkojnë në 53 për qind kundrejt 46 për qind në favor të qëndrimit të Britanisë në BE.

Sido që të ndodhë me “Brexit”-in, që dominoi zgjedhjet europiane, gjysma e britanikëve sërish do të jenë të pakënaqur.

Top Channel