E pesta letër e kryeministrit Edi Ramës për shefin e opozitës  Lulzim Basha nis me një kompliment për protestën paqësore të së shtunës.

“Në radhë të parë sinqerisht përgëzime për mbrëmë, sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa! Por siç edhe me siguri e vutë re vetë, karvani i fitores Suaj imagjinare po firon pak e nga pak, çdo herë që sos në Tiranë dhe siç e kuptoni, njëkohësisht po firojnë edhe shanset e Dialogut mes nesh”, nis letra e Ramës.

Pavarësisht këmbënguljes së Lulzim Bashës se nuk ka zhgjeshje pa opozitën,  Edi Rama thotë se ka ende kohë për dialog.

“Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë. Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët”, apelon shefi i qeverisë.

Edi Rama përmes letrës së pestë ka zgjedhur t’i drejtojë disa pyetje kryedemokratit Basha përgjigjen e të cilave ia kthen po vetë, ku thotë se opozita nuk e ka ndalur punën e parlamentit dhe qeverise dhe as ai nuk ka ndërmend të ikë.

“Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë – protestave seriale kundër zgjedhjeve, me frikën nga drejtësia si karikues për bateritë tuaja. Ndërsa ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i late. Zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhe! Sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi”, shkruan Rama.

Edi Rama nuk e ka kursyer parashikimin se çfarë mund t’i ndodh Bashës pas 30 Qershorit.

“Kam frikë se edhe tërë pasojat e xhindosjes së atij marroqit dixhital ndaj meje e Partisë Socialiste, do t’i hani Ju si fajtori i madh i një disfate katastrofike. Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujërat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije”, paralajmëron zoti Rama.

E ndërsa opozita vendosi 31 Majin për protestën e ardhshme që përkon me çeljen e fushatës elektorale nga PS Edi Rama i komunikon Bashës se  shtabi tij elektoral vendosi ta s’postojë në 1 qershor.

 

 

Top Channel