Spanjë, rituali i vrasjes së demit, i lëvduar dhe kritikuar

25/05/2019 22:07

Kur një dem shëmbet përdhe përpara matadorit, heshtja zbret në arenën “Las Ventas” të Madridit, një ritual ky të cilin menaxheri francez Simon Casas e mbështet me forcë, edhe pse ai po rrethohet nga një klimë që ndjell konflikt.

Rreth 500 000 entuziastë pritet të mblidhen në këtë arenë gjatë eventit një mujor të Feria de San Isidro, festivali më i madh i ndeshjes me dema në kryeqytetin spanjoll. Por sot, më shumë se kurrë, aktivistë e politikanë janë duke u përfshirë në këtë çështje dhe kjo kur vendi është në prag të zgjedhjeve lokale.

Kryebashkiaku i majtë i Madridit ka premtuar “corridas” pa gjak e pa vdekje. Megjithatë, konservatorët dhe ekstremi i djathtë e mbrojnë traditën me forcë, duke e lidhur atë me vetë identitetin kombëtar spanjoll. Si për ta bërë më të fortë zërin e tyre, ata patën regjistruar në listat e kandidatëve të zgjedhjeve të përgjithshme të muajit prill, edhe tre toreadorë.

Simon Casas tha: “Demi nuk është një armik për toreadorin, është një partner i mbuluar me lavdi. Unë vetë nëse do të isha një kafshë, nuk do të doja kurrë të isha një mace apo një qen, por një dem. Edhe nëse do të vdisja, do ta bëja fatin tim të lavdishëm”.

Ndërsa Antonio Costo, adhurues i luftimit me dema, thekson: “Ka një magji të vetën e gjithë kjo gjë, është gati një lloj arti të cilin është e vështirë ta përshkruash, por që i mbush njerëzit me pasion e mua personalisht, më kënaq shumë”.

Aktivistët që ngrenë zërin kundër kësaj tradite, llogarisin që gati 200 dema të vriten gjate Feria de San Isidro, ndërsa në të gjithë Spanjën sivjet numri i tyre shkon në mijëra.

Top Channel