“Ne nuk jemi një skuadër, por një familje!”/ Arbana Osmani mbyll me sukses sezonin e tretë të “Dua të të bëj të lumtur”

25/05/2019 23:47

Programi “Dua të të bëj të lumtur” edhe këtë sezon të tretë na përcolli gjatë gjithë rrugëtimit të tij të gjatë emocione të mëdha duke trajtuar histori nga më të jashtëzakonshmet. Por për të na sjellë këto emocione dhe për të pasqyruar Shqipërinë e vërtetë punon një staf i madh më në krye vetë moderatoren tepër të dashur për publikun, Arbana Osmani. Mesa duket ashtu si edhe në sezonin e kaluar moderatorja e ka kthyer në një traditë që pjesën e fundit të çdo puntate finale t’ja dedikojë bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, skuadrës së Dua-s siç e quan ajo vetë.

Surprizën e parë moderatorja i’a kishte dedikuar postierëve të programit të cilët i kishte ftuar në studio. Gjatë bisedës të zhvilluar midis tyre, postierët rrëfyen emocionet dhe vështirësitë që kishin hasur në dërgimin e ftesave. Por Arbana kishte rezervuar për ta një klip me të gjitha momentet më gazmore të tyre gjatë regjistrimit të postave.

Në skenë Arbana ftoi të gjithë stafin duke i shprehur mirënjohjen dhe i falenderoi të gjithë për punën e palodhur dhe për orët e gjata duke theksuar se ata janë një familje. Kjo nuk ishte surpriza e vetme pasi moderatorja i kishte përgatitur një klip në të cilin u shfaqën momente nga puna e përditshme e tyre.

Por qershia mbi tortë që Arbana kishte rezervuar për ta ishte udhëtimi në Barcelonë, i cili ishte sponsorizuar nga agjencia “Matias Travel”.

Stafi kishte rezervuar një surprizë për të zonjën e shtëpisë, duke i sjellë në studio dy gjyshërit e saj të cilët rrëfyen që ishin tepër të lumtur dhe krenarë që kishin një mbesë si Arbana.

Në fund Arbana Osmani falenderoi publikun që si gjithmonë e ka mbështetur dhe e ka vlerësuar në çdo projekt të sajin. Surpriza që moderatorja kishte përgatitur për ta ishte një tortë e madhe, ku i ftoi të gjithë të ëmbëlsoheshin duke i lënë takimin tjetër sezonin e ardhshëm që pritet të rifillojë në tetor.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel