Producenti i diskredituar i “Hollywood”-it, Harvey Weinstein, dhe pjesëtarë të bordit drejtues të ish-studios së tij filmike thuhet se kanë arritur një marrëveshje në parim me femrat që e akuzuan atë për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre.

Avokatët e tij thonë se marrëveshja për të zgjidhur paditë ligjore civile dhe për të kompensuar viktimat e pretenduara shkon në shifrën e 44 milionë dollarëve. Megjithatë, Weinstein mohon ende të ketë ngacmuar seksualisht apo të ketë abuzuar me mbi 75 gra.

Ai do të dalë në gjyq në Nju Jork gjatë qershorit, për akuza kriminale të ngritura nga dy femra, përfshi këtu edhe për përdhunim. Adam Harris, avokat për studion e themeluar nga Harvey dhe Bob Weinstein i tha një jurie se “një marrëveshje ekonomike në parim” është arritur, siç raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ekipi i Weinsteinit tha më vonë për “Wall Street Journal” se shuma totale e kësaj marrëveshjeje mbërrin rreth 44 mln dollarë.

67-vjeçari Weinstein është një prej producentëve më të famshëm të “Hollywood”-it, i cili ka punuar me një sërë filmash që kanë fituar çmime prestigjioze, përfshi këtu “Shakespeare in Love”, “The King’s Speech” dhe “The Artist”.

Gjithsej, filmat e prodhuar prej tij kanë siguruar më shumë se 81 çmime “Oscar” që prej vitit 1999, ndërsa kishte themeluar kompaninë “Miramax” në vitet ’70, me fokus asokohe filmat e artit shtëpiak.

Në vitin 2005, ai u shkëput nga “Miramax” për të themeluar “Weinstein Co” së bashku me të vëllanë, Bob.

Në vitin 2017, “Quartz” raportoi se Weinstein ishte bërë aq i fuqishëm në “Hollywood”, saqë ishte vlerësuar disa herë si “Zoti” në fjalimet e “Oscar”-ëve.

Por si lindi skandali i bujshëm? Në tetor të vitit 2017, “New York Times” publikoi një histori që detajonte dekada akuza për ngacmime seksuale në drejtim të Harvey Weinstein.

Aktoret Rose McGowan dhe Ashley Judd ishin mes të parave që dolën hapur në fajësimin e tij. Mes akuzave janë edhe ato të detyrimit të këtyre grave për t’i bërë “masazh” atij, apo për ta parë atë teksa ishte lakuriq. Ai akuzohet gjithashtu se u kishte premtuar disa femrave t’i ndihmonte të avanconin në karrierë, në këmbim të favoreve seksuale.

Producenti bëri një apologji duke pranuar se kishte shkaktuar “shumë dhimbje”, por mohoi akuzat sipas së cilave ai kishte ngacmuar punonjëset femra për afro 3 dekada.

Furia kundër Weinsteinit çoi në krijimin e asaj që u quajt lëvizja “#MeToo”, që pa qindra gra të akuzonin meshkuj të profilit të lartë në biznes, qeveri dhe mjedise të tjera për abuzime seksuale dhe ngacmime.

Top Channel