Rama: Pavarësisht krizës numri i turistëve vazhdon të rritet

24/05/2019 19:05

Krahas letrave për Lulzim Bashën, kryeministrit Edi Rama nuk i ka munguar fokusi ndaj sezonit të ri turistik, i nisur tashmë në disa qytete të vendit.

Nga shkolla Profesionale Hoteleri-Turizëm në Tiranë,që përgatit afro 1000 nxënës çdo vit, Kryeministri Edi Rama u shpreh edhe për ndikimet që sjell situata politike në vend, në raport me një prej muskujve kryesorë të ekonomisë shqiptare, turizmin.

“Pavarësisht situatave që po ndodhin, përsëri numri i turistëve duket se vazhdon të rritet dhe nga hyrjet që kemi parë tani në muajin maj jemi më lart se vjet. Mirëpo kjo e gjitha kërkon kualifikim të madh”, tha Kryeministri Rama.

Me investimet e kryera në këtë shkollë me vlerë, 272 milionë lekësh, nga buxheti i shtetit, synohet rritja e numrit të nxënësve që ndjekin këtë shkollë, si dhe realizimi i procesit mësimor vetëm paradite.

Top Channel