Film për mafiozin Buscetta. Prezantohet në Kanë biografia e anëtarit të Cosa Nostra

24/05/2019 22:37

Veterani i Kanës, Marco Bellocchio, prezantoi këtë radhë në festivalin e famshëm të filmit, biografinë e Tommaso Buscetta, anëtari i parë me i lartë i Cosa Nostra-s, që theu kodin mafioz të heshtjes.

Ajo që më pëlqen tek ky personazh, shpjegoi regjisori, është se ai nuk shfaqet as si viktimë, as si hero. Është një njeri i vendosur, një nga ata që mbijetojnë. I është dashur të kalojë nëpër situata shumë të rrezikshme.

Buscetta, siç tregon Bellocchio, u gjend përballë me mafian në krahun e fraksionit humbës, por nuk e kishte imagjinuar asnjëherë se fitimtaret do të arrinin deri aty sa të përgatisnin shfarosjen e familjes se tij. Pikërisht nga këtu nisi të marrë udhë vendimi për të bashkëpunuar me drejtësinë.

“Është e qartë se kur të tërheq personazhi, kjo ndodh sepse ai ka diçka të veçantë. Dhe në këtë rast, të gjithë ata që e njihnin e dinin se ishte një burrë me karakter të fortë dhe një identiteti solid, edhe pse jo fort ë kulturuar”, tha regjisori Marco Bellocchio.

Në filmin “Tradhtari“, roli i Buscetta-s, i është besuar aktorit karizmatik Italian, Pierfrancesco Favino.

“Mendoj se avantazhi i madh i këtij filmi është se ne e paraqesim këtë lloj bote në një mënyrë aq objektive sa bëhet gati mitike. Mafia është treguar si një grup fshatarësh injorantë dhe në fakt, në dokumentet e tyre zyrtare profesioni është puna bujqësore, e këtë e kemi ndjerë dhe në në film”, u shpreh aktori, Pierfrancesco Favino.

Në filmin 2 orë e 25 minuta të gjatë, Bellocchio bën një portretizim realist të botës së nëndheshme siciliane. Anëtarët e Cosa Nostra-s nuk tregohen aty aspak në një dritë romantike, ndjeva se duhet ti shmangia këtë lloj konvencionalizmi, u shpreh regjisori.

Top Channel