Ylli i shumëpolemizuar i baletit, Sergei Polunin luan rolin e Rasputinit në një vepër të re që shfaqet në Moskë të enjten, duke thënë se ashtu si misteri që rrethon familjen mbretërore ruse, edhe ai përballet me anën e tij të errët.

Polunin, i lindur në Ukrainë, por tani qytetar rus, madje me një tatuazh të presidentit Vladimir Putin në gjoks, ka fituar reputacionin e “djalit të keq” të baletit për performancat e tij pasionante, por edhe për sjelljen shpeshherë jo të përshtatshme për skenën.

“Unë besoj se Rasputin kishte qëllime të mira”, tha Polunin para shfaqjes që mban vulën e koreografit japonez, Juka Oishi. Por, ai kishte anë të errëta që ndonjëherë e vendosnin në tjetër drejtim.

Grigori Rasputin, një njeri karizmatik, kishte fituar besimin e Car Nikollës së Dytë me përpjekjet për të shëruar djalin e tij hemofilik, Aleksei, por mbi të ishte hedhur shumë baltë nga publiku dhe ishte vrarë nga një grup aristokratësh.

Premiera vjen pak muaj pasi Polunin bëri një postim në Instagram, ku thoshte se balerinët homoseksualë janë një turp dhe njerëzit mbipeshë duhen rrahur. Një agjenci biletash ka refuzuar madje të shesë bileta për një shfaqje të planifikuar në Londër të Rasputinit, në lidhje me komentet e tij.

Top Channel