Pa u mbushur ende 24 orë nga letra me ftesën për dialog të Edi Ramës për Lulzim Bashën, e refuzuar nga kryedemokrati, kryeministri i dërgon një të dytë. “Nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj” thotë Rama në krye të letrës.

“Duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut”, shkruan kryeministri.

Rama i drejtohet Bashës me fjalët se është në të drejtën e kreut të PD ta udhëheq grupimin e tij politik drejt humnerës.

“Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to”, shton ai më tej.

Rama rithekson se Basha është future në një aventurë të pashoqe me pak përkrahje.

“Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë. Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpëruara dhunë nxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të”, shkruan ai.

Shqipëria thekson kryeministri, s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.

“Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj. Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë!”, thuhet më tej në letër.

Këtë letër Edi Rama e ka përdorur për të komentuar indirekt edhe qëndrimet kritike të presindentit Meta për reformën në drejtësi.

“Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor”, shkruan Rama në letrën e dytë, të cilën e mbyll me fjalët: “Uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes”.

Top Channel