Presidenti i Paris Saint Germainit, Al Khelaifi është në telashe. Gjykatësi Van Ruymbeke e ka vendosur atë në radhët e të pandehurve me akuzën e korrupsionit aktiv në procesin e dhënies së të drejtës së organizimit të Katarit për Botërorin e Atletikës.

Sipas asaj që publikohet në median franceze, Al Khelaifi tentoi të paguajë 3.5 milionë Dollarë ose 3.1 milionë Euro për llogari të ish presidentit të Federatës ndërkombëtare të Atletikës, Lamine Diack me synimin që Doha të fitonte të drejtën e organizimit të këtij botërori në vitin 2017, por në fund IAAF vendosi që botërori i atletikës së atij viti të mbahej në Londër, ndërkohë që Doha do ta presë evenimentin këtë vit në 27 shtator deri në 6 tetor.

Al Khelaifi reagoi nëpërmjet avokatit të tij, Francis Szpiner që në mënyrë të vullnetshme u paraqit në Gjykatë në 20 maj duke deklaruar se informacionet janë të pasakta dhe se akuzat janë të pabaza duke krijuar konfuzion.

Kjo është hera e dytë që Al Khelaifi akuzohet për korrupsion. Në vitin 2017, presidenti i Paris Saint Germainit është akuzuar nga drejtësia bashkë me ish sekretarin e përgjithshëm të FIFA, Jerome Valke për parregullsi në dhënien e të drejtave televizive në favor të platformës BeIn Sports në Azi të botërorëve 2026 dhe 2030.

Procesi gjyqësor për këtë çështje është ende i hapur dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Top Channel