Një delegacion i UEFA-s zbarkoi këtë mesjavë në prishtinë për të rakorduar me drejtuesit e futbollit në këtë vend, edhe projektet e ardhshme, një vizitë që shërbeu edhe për të ritheksuar përparimin e madh të bërë këtu.

Shefi i Divizionit të Federatave Kombëtare të UEFA-s, Thierry Favre takoi krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës, ku pohoi se Kosova ka pasur një periudhë të mirë të zhvillimit në futboll dhe tregoi se lajme të mira do të vijnë në një të ardhme të afërt.

“Kosova ka përparuar në futboll, e pret një e ardhme më e mirë. Jam i lumtur që jam sërish këtu pasi ka kaluar kohë e gjatë që nga vizita ime e fundit në shtator e cila ishte e mrekullueshme, gjatë inaugurimit të stadiumit “Fadil Vokrri. Kemi lajme të mira për të dhënë. Do të përfitoni nga mbështetja financiare dhe teknike e UEFA-s”, deklaroi Favre.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi konfirmoi se nga sezoni i ardhshëm do të jetë një skuadër më shumë nga Kosova në garat europiane.

Sezoni i ri në futbollin kosovar do të sjellë aplikimin e një sistemi të ri garash. Superliga do të jetë me 10 ekipe dhe kështu në reaksion zinxhir edhe ligat e tjera do të pësojnë ndryshime eventuale.

Top Channel