Huawei ka pasur një marrëdhënie të brishtë me Shtetet e Bashkuara prej një dekade, por javën e kaluar ajo mbërriti pikën e vlimit, kur administrata Trump i ndaloi korporatave Amerikane të bërit biznes me kompaninë Kineze.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara e dyshonin prej kohësh angazhimin e Huaweit në aktivitete të paligjshme, nuk është e qartë se çfarë ka bërë së fundi, në mënyrë specifike gjiganti Kinez i telekomunikacionit, për t’u kthyer në objekt shqetësimesh kaq të mëdha.

Bllokada e Washington-it megjithatë, nuk i surprizoi shumë vëzhguesit. Administrata Trump i pezulloi përkohësisht masat shtrënguese të hënën, megjithatë lëvizja e saj nuk përbënte ndonjë lehtësim të madh, sepse lidhej vetëm me një grup të vogël siguruesish të “network-ut” që përdorin pajisjet e Huaweit.

Për këtë të fundit dhe shumicën e kompanive Amerikane, vendimi mbetet në fuqi. Por çfarë e vuri Huawein në kurs përplasjeje me Washington-in? SHBA dhe Kina janë përfshirë prej më shumë se një viti në një luftë të ashpër tregtare, dhe kompania e njohur, ka ngecur aty në mes. CNN thotë se ajo mund të shërbejë si mjet për negociata: është një kompani gjigante Kineze me ambicjet për t’u bërë numri një në tregun global sa i takon prodhimit të “smartfoneve”, vitin e kaluar, niveli i saj i shitjeve arriti në 105 miliardë dollarë.

Dhe Trumpi vetë e ka bërë të qartë se mund t’a konsiderojë lehtësimin e dorës mbi Huawein si pjesë të bisedimeve tregtare me Kinën. Nga ana tjetër janë dhe lidhjet e saj me qeverinë Kineze, të cilat përmenden dhe në një raport të dhomës së përfaqësuesve në vitin 2012, pretendimet se ka gjetur mënyra për të anashkaluar sanksionet Amerikane mbi Iranin por edhe beteja teknologjike, thotë CNN, sepse teknologjia e Huaweit është thelbësore për ardhmërinë e 5G-së, një teknologji të cilën Shtetet e Bashkuara kërkojnë dëshpërimisht ta dominojnë.

Top Channel