Kompanitë e njohura amerikane Adidas, Nike dhe Puma i bëjnë thirrje presidentit Donald Trump t’i japë fund sa më parë luftës tregtare me Kinën, duke e quajtur “katastrofike” vendosjen e tarifave të reja.

Përmes një letre drejtuar presidentit amerikan, prodhuesit e njohur të veshjeve sportive iu bashkuan më shumë se 170 kompanive të tjera, të cilat bëjnë apel që atletet e tyre të përjashtohen nga tarifat e reja në importet e Kinës.

Administrata amerikane ka rritur këtë muaj tarifat ekzistuese ndaj importeve kineze dhe po kërcënon t’i vendosë këto tarifa pothuajse në të gjitha produkteve kineze të importuara në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të përfshijë taksa shtesë për mallrat e konsumit, si ato elektronike dhe veshjet, duke përfshirë atletet dhe “smartphone”-t.

Kjo masë ka shkaktuar alarm te shitësit dhe prodhuesit, të cilët mbështeten te mallrat nga Kina.

“Tarifa shtesë e propozuar prej 25 për qind ndaj atleteve do të ishte katastrofike për konsumatorët tanë, kompanitë tona dhe ekonominë amerikane në tërësi”, thuhet në letrën e prodhuesve të njohur amerikanë.

Në letër thuhet se industria e këpucëve sportive tashmë paguan 3 miliardë dollarë detyrime dhe se tarifat shtesë do të rrisnin kostot dhe çmimet. Trump ka thënë më herët se konsumatorët amerikanë mund t’i shmangin tarifat, duke blerë prodhime të njëjta nga burime të tjera.

Top Channel