Largimi i Massimiliano Allegrit nga Juventusi ka vënë në lëvizje drejtuesit e “Zonjës së vjetër” për të nisur kërkimet për zëvendësuesit e tij.

Gjatë këtyre ditëve, në medie janë përmendur emrat e disa trajnerëve, si kandidatë të mundshëm për të marrë drejtimin e kampionëve të Italisë, ndërsa në orët e fundit, në atë italiane është shfaqur edhe ai i Jurgen Klopp.

Por, për bardhezinjtë nuk do të jetë aspak e lehtë për të arritur te trajneri gjerman, i cili duket se ndihet shumë mirë te Liverpooli, e për më tepër ka mbështetjen e një pjese të mirë të drejtuesve të klubit dhe tifozëve të “The Reds”.

Por pavarësisht kësaj, Juventusi ka mundësi që të tentojë sjelljen e Jurgen Klopp në Torino, duke i siguruar pagën prej 8 milionë eurosh në sezon që gjermani e përfiton në “Anfield”, si dhe duke paguar klauzolën e kontratës së tij me klubin anglez, prej 36 milionë eurosh.

Duket se në këtë pikë Juventusi ka probleme, pasi gjatë kësaj vere do t’i duhet edhe të arkëtojë të ardhura për të përforcuar skuadrën e për ta bërë atë sa më konkurruese. Sa u përket alternativave të torinezëve për pankinën, ato dihen dhe janë Sarri, Inzaghi, madje edhe Mourinho, me këtë të fundit që e kërkoi Cristiano Ronaldo.

Top Channel