Përfaqësuesja shqiptare vazhdon grumbullimin e saj të pjesshëm për ndeshjet eliminatore të Euro 2020-s, ndaj Islandës në trasnfertë më 8 qershor dhe ndaj Moldavisë, më 11 qershor në “Elbasan Arena”.

10 lojtarët që kanë përfunduar sezonin me klubet respektive janë grumbulluar për të ruajtur gjendjen e tyre fizike si edhe për t’u vëzhguar nga afër nga stafi teknik i ekipit kombëtar.

Ndërkohë që së bashku me to gjenden dhe tre emra të skuadrës së Partizanit, edhe pse Superliga ende nuk është mbyllur për të tjerat sepse për të kuqtë gjithcka është formalitet për dy ndeshjet e mbetura. Ata janë portieri Hoxha, mbrojtësi Trashi dhe mesfushori Telushi, ky i fundit grumbullohet për herë të parë në ekipin kombëtar.

Këtyre lojtarëve të Ekipit A i janë bashkuar dhe rreth 12 lojtarë të ekipit kombëtar shpresa, të cilët gjithashtu më datë 26 do të fillojnë grumbullimin e tyre zyrtar në Elbasan. Për të njëjtën arsye, se kanë përfunduar kampionatet respektive më shpejt, ata plotësojnë grupin duke zhvilluar seanca stërvitore deri diku më normale.

Trajneri Edi Reja do të mbyllë listën për dy ndeshje më datën 27 maj kur do të jetë dhe i gjithë ekipi i plotë për dy ndeshjet e ardhshme me Islandën dhe Moldavinë. Më pas, ekipi do të largohet drejt Frankfurtit ku do të qëndrojë për disa ditë për përgatitjet e fundit për ndeshjen e parë në trasnfertë.

Sa i përket ekipit Shpresa, ata do të zhvillojnë grumbullimin e tyre zyrtar me trajnerin Alban Bushi nga data 26 maj, për ndeshjen me Turqinë dhe dy miqësoret që do të zhvillojnë në Shqipëri me Uellsin.

Top Channel