Miratohet ligji që ju jep përfitime shtesë: minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve

21/05/2019 15:41

Minatorët, punonjësit e naftës dhe metalurgët do të marrin një sërë përfitimesh financiare nga buxheti i shtetit. Komisioni i Ekonomisë miratoi një ligj, i cili u jep trajtim të posaçëm financiar këtyre tre kategorive duke filluar që nga ulja e moshës së pensionit.

“Mosha e daljes në pension: Për minatorët bëhet 55 vjec. Për naftëtarët bëhet 60 vjeç ose 5 vjet para daljes në pension të shtresave të tjera”, tha Ahmetaj.

Por ulja e moshës së pensionit nuk është përfitimi i vetëm. Paralelisht ata që kanë punuar në miniera, naftë apo metalurgji kur të dalin në pension do të marrin edhe një shtesë të lidhur me vitet e punës në këto profesione të vështira.

“Për minatorët 1 për qind shtesë për cdo vit pune në minierë, për naftëtarët dhe metalurgët 0.6 për qind shtesë për çdo vit pune”, shprehet Ahmetaj.

“Përfitojnë kaq mijë minatorë, kaq mijë naftëtarë dhe kaq metalurg. Në total janë 23 mijë e 450 përfitues, që marrin çdo vit 14 milionë dollarë shtesë nga buxheti”, tha Elton Haxhi, zv ministër i Financave.

Por këto përfitime kanë një kusht. Minatorët, naftëtarët apo metalurgët duhet që aktualisht të jenë mbi 48 vjeç.

Sot të treja këto industri janë të privatizuara plotësisht, ndaj punonjësit nën 48 vjec nuk do të marrin përfitime nga buxheti, por ligji ka parashikuar një trajtim tjetër. Ai detyron kompanitë private të minierave apo naftës që të paguajnë kontribute shtesë, me qëllim që punonjësit e tyre të marrin pagesa më të larta kur të dalin në pension.

Top Channel