Afrimi i stinës së nxehtë sjell në Durrës edhe shqetësimin për furnizimin me ujë. Por në këtë fillimsezoni, afro 2.000 banorë të qytetit po furnizohen me më shumë orë ujë, falë investimeve të bëra në rrjetin e ujësjellësit. Madje për herë të parë, një pjesë e vogël e “lagjes nr. 8” po furnizohet me ujë 24 orë në ditë.

“Habi e madhe. Kaq vite në Durrës dhe është hera e parë. Të paktën me sa mbaj mend, që kur kam lindur e deri më sot, s’mbaj mend presion të tillë”, tha një banor.

Një çift emigrantësh ndihet i kënaqur, por nuk e di nëse kjo do të zgjasë.

“Nuk presim çezmat si më përpara. Ka ujë me bollëk. Kur vinin fëmijët në gusht e për Vit të Ri ishte torturë, se nuk kishte ujë. Mbushnim me bidona”, thanë të tjerë banorë.

Në të njëjtën lagje, banorët e zonës ngjitur, ashtu si shumë të tjerë në qytet, jetojnë një tjetër situatë. Ata ankohen jo vetëm për oraret e kufizuara, por edhe për papastërtinë e ujit që rrjedh në rubinetat e tyre.

“Uji është shumë i papastër. Nuk është as për t’u larë, as për t’u konsumuar”, tha një zonjë.

“Këtu nuk vjen ujë, vjen erë fekale. Jemi ankuar, po askush nuk vjen”, tha një tjetër banor.

“Jemi me pension të vogël e nuk mund ta përballojmë blerjen e ujit. Në çezmë as gojën nuk e laj dot. As enët nuk i laj dot”, tha një zonjë e moshuar.

Sipas Ujësjellës-Kanalizimeve të Durrësit, një sërë investimesh po realizohen për të rritur orarin e furnizimit me ujë, si në sasi ashtu edhe në cilësi, në të gjithë territorin e Bashkisë së Durrësit, që numëron mbi 320 mijë banorë.

Me një rrjet tejet të amortizuar ujësjellësi të ndërtuar në vitet ’60, Durrësi përballet me ndotjen e ujit dhe nevoja gjithnjë në rritje për konsum të ujit. Në tri dekadat e fundit, Durrësi ka rritur ndjeshëm popullsinë, ndërsa gjatë sezonit turistik nevojat për ujë shumëfishohen.

Top Channel