Në Ditën e Kulturës japoneze është përuruar në Korçë “Parku japonez”, një park i cili sjell konceptin e parqeve të njohura që nuk janë vetëm hapësira me gjelbërim, por edhe funksionale.

Pjesë e parkut të pozicionuar në afërsi të kodrave të qytetit janë edhe “kopshtet komunitare”, ku mund të kultivohen prodhime të ndryshme nga qytetarët. Në ceremoninë e përurimit, kryebashkiaku i Korçës dhe ambasadori japonez e konsideruan këtë projekt si mjaft të rëndësishëm për turizmin, por edhe për banorët e Korçës.

“Ky park japonez, së bashku me Muzeun ‘Bratko’, të cilin e rivizituam me ambasadorin, shpresoj që të shërbejnë si atraksione për të sjellë shumë vizitorë nga Lindja e largët, e posaçërisht nga Japonia për të vizituar qytetin tonë”, tha kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

“Iu uroj për përurimin e parkut japonez në Shqipëri, pasi ky është parku i vetëm japonez. E di që në Korçë keni shumë parqe, por shpresoj që te ky, të gjithë qytetarët e Korçës të kenë të ndiejnë pak Japoninë dhe të pushojnë”, tha Makoto Ito, ambasador i Japonisë në Shqipëri.

Parku japonez është një investim i përbashkët i Bashkisë së Korçës dhe Ambasadës së Japonisë. Një koncert me instrumente tradicionale japoneze është sjellë në “Pazarin e Korçës”, në kuadër të Ditës së Kulturës japoneze.

Top Channel