Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen ka thirrur zgjedhjet e jashtëzakonshme në shtator, pas skandalit politik ku përfshihet një videoregjistrim sekret, në të cilin zëvendëskancelari i vendit, Heinz-Christian Strache shihej teksa i ofronte kontrata qeveritare një përfitueseje ruse në këmbim të donacioneve politike.

Pas takimit me Kancelarin austriak, Sebastian Kurz, presidenti tha se zgjedhjet duhet të mbahen në fillim të muajit shtator. Kurz, më 18 maj kërkoi zgjedhje të parakohshme, ndërsa mijëra protestues me pankarta në duar, ku shkruhej “Zgjedhje të parakohshme tani”, u mblodhën jashtë zyrës së tij në Vjenë.

Ky vendim erdhi disa orë pas dorëheqjes së Strache nga posti, i cili e pranoi fajin për veprimet e tij duke thënë se sjellja e tij ishte “e papërgjegjshme” dhe se po largohej nga qeveria për të shmangur dëmet e mëtejshme të qeverisë.

Dorëheqja e tij erdhi pas publikimit të një videoje nga gazeta “Der Spiegel”, ku ai shihej duke i ofruar kontrata qeveritare një gruaje që paraqitej si një investitore e pasur nga Rusia, e prezantohej si mbesa e një biznesmeni të njohur rus. Kjo ngjarje kishte ndodhur në vitin 2017 në Ibiza, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare në Austri, ku Strache u emërua zëvendëskancelar.

Top Channel