Një investitor miliarder në fushën e teknologjisë ka gjetur të papërgatitur studentët në Atlanta, kur u tha se ai do të paguante të gjitha detyrimet e tyre studentore.

Robert F. Smith, një nga filantropistët më të njohur afro-amerikanë në SHBA, po mbante një fjalim në “Morehouse College”, një kolegj që frekuentohet tradicionalisht nga meshkuj me ngjyrë. Rreth 400 studentë do të përfitojnë nga kjo bamirësi, me një kosto prej dhjetëra miliona dollarësh.

“Në emër të 8 gjeneratave të familjes sime që kanë jetuar në këtë vend, ne do të hedhim pak ‘karburant’ në ‘autobusin’ tuaj. Kjo është klasa ime dhe familja ime do të paguajë të gjitha shpenzimet e saj. Jam i sigurtë që kjo klasë do të bëjë gjithçka për të ecur përpara”, tha Robert F. Smith.

Klasa 2019 dhe mësuesit e tyre mbetën të befasuar teksa dëgjonin lajmin, para se të shpërthenin në duartrokitje.

56-vjeçari Smith themeloi kompaninë “Vista Equity Partners” në vitin 2000, për të investuar në kompani programesh kompjuterike dhe ka një pasuri personale prej 5 miliardë dollarësh, sipas “Forbes”-it. Ai ndodhej në kolegj për të marrë një titull nderi dhe kishte njoftuar që më herët për një donacion prej 1.5 milionë dollarësh për “Morehouse”.

Kostoja e saktë e aktit më të fundit të Smith nuk dihet, pasi kolegji duhet ende të përllogarisë detyrimet totale të studentëve që përfitojnë, por vlerësohet se do të jetë në gati 40 milionë dollarë.

Top Channel